Libraria Pub - Into Albania

Libraria Pub

Një nga ato vende ku ka gjithmonë njerëz

Ritëm, zhurmë e birra! Ky triptik nuk mungon asnjëherë në lokalin që çfarëdo ditë e vitit të jetë, do të jetë gjithmonë plot! Kur u hap fillimisht si lokal, dallonte për librat e shumtë që ndodheshin nëpër rafte si dekor, kryesisht të periudhës së komunizmit. Me kalimin e kohës librat nisën të dukeshin më të paktë tek sa klientët bëheshin gjithnjë e më të shumtë.

I konceptuar si një pub tipik ku dominon banaku i gjatë me lloje të ndryshme birrash të freskëta me kriko, Libraria ka dy stacione. Atë të dimrit, pozicionuar mu në zemër të zonës së ish-Bllokut, dy hapa përballë godinës së njohur si Sky Tower. Ndërkohë që në verë lokali zhvendoset në një tarracë gjithashtu në zonën e ish-Bllokut, përballë Lollipopit.

Nëse njërën e gjeni mbyllur, mbani hapin tek tjetra pasi ja vlen të kaloni kohën me miqtë në një atmosferë të ngrohtë, ku serviret gjithashtu ushqim i shpejtë mjaft i shijshëm për të shtyrë birrat. Muzika është sa rock, aq edhe shqiptare apo e rrymave të tjera, në varësi të ditës apo ambjentit që krijohet.

Shënim: Mos harroni të kërkoni naços me filadelfia, apo fokaçet me ullinj, të cilat do ju bëjnë të zgjasni edhe më tej qëndrimin tuaj në Librari.

Explore More