Liqenet e Dumresë: Zbuloni thesaret ujore afër Elbasanit - Into Albania

Liqenet e Dumresë: Zbuloni thesaret ujore afër Elbasanit

Turizëm Malor

Liqenet e Dumresë: Zbuloni thesaret ujore afër Elbasanit

Turizëm Malor

Si një kurorë e mbushur me gurë të çmuar, zona e Dumresë me 86 liqenet e saj të përmasave të ndryshme magjeps cilindo kalimtar që kërkon ta zbulojë më nga afër. Të pozicionuar në rrethin e Elbasanit, 160 metra mbi nivelin e detit, liqenet e Dumresë njihen për veçoritë e tyre dhe peizazhet e jashtëzakonshme që krijojnë në harmoni me njëri-tjetrin.

Liqeni i Belshit

Është liqeni me zonën më të populluar përreth tij, e rrjedhimisht është e pashmangshme një ndalesë këtu, për të vizituar me këtë rast dhe ndryshimet e ndodhura në Belsh. Një ecje pranë shëtitores moderne, apo dhe ndalesa pranë ndonjë kafeneje apo restoranti, do ju mundësojë ta shijoni ndryshe panoramën e liqenit. Në mbrëmje, me dritat e qytetit që ndizen njëra pas tjetrës, liqeni reflekton paqësisht atmosferën e ngrohtë të qytetit.

Qendra e Belshit, foto nga IntoAlbania.

Liqeni i Seferanit 

E tek sa zambakët e ujit zbukurojnë shumë prej liqeneve të Dumresë, liqeni i Seferanit me ardhjen e pranverës vishet nga një tapet i jashtëzakonshëm ngjyrash, falë lekoit të bardhë dhë lekoit të verdhë. Në Seferan do të provoni çajin e shafranit dhe kuleçët me vaj ulliri, në bujtinat e reja që ndodhen aty. Në Seferan ndodhet dhe qendra “Dumrea Pedal”, ku të interesuarit mund të bëjnë xhiro me biçikletat e reja të pajisura me të gjitha kushtet e sigurisë.

Liqeni i Seferanit, foto nga IntoAlbania.

Në sfond të liqenit të Seferanit ndodhet dhe Shkëmbi i Gradishtës, që njihet ndryshe dhe si Kalaja e Belshit për shkak të rrënojave të gjetura aty. Tek sa mendohet se ka qenë qendër e zhvilluar që prej shekullit të gjashtë para Krishtit, qyteza e fortifikuar dy shekuj më vonë i përkiste krahinës së fisit ilir të parthinëve. Vlen të thuhet se prej asaj periudhe është gjetur dhe varri i një princi ilir, që njihet me emrin e Princit të Belshit, ku spikasnin rreth 70 objekte arkeologjike të cilat sot ekspozohen në një nga muzetë e antikitetit në Asparn të Austrisë.

Shkëmbi i Gradishtës, liqeni i Seferanit. Foto nga IntoAlbania.

Liqeni i Merhojes

Një tjetër liqen i njohur si më i pastërti e i thelli prej liqeneve të Dumresë (61 m) është ai i Merhojes, që është njëherazi i famshëm për peshkimin e krapit. Liqeni i Merhojes ndodhet jo shumë larg Seferanit, e falë qendrës “Dumrea Pedal” mund të siguroni dhe pajisjet e nevojshme për të praktikuar sporte si kanoa, kajak, apo edhe paddleboarding.

Liqeni i Degës 

Një prej liqeneve më të bukur të gjithë pllajës së Dumresë është ai i Degës, që ndodhet pranë fshatit Fierzë. Ky liqen karstik vjen në formë të përzgjatur dhe ka një gjatësi prej 1600 m e gjerësi prej 300 m, dhe përbëhet nga një ekosistem tejet i pasur e mbresëlënës. Nëse do bëni kujdes të gjeni një pikë ku mund ta vështroni nga një lartësi e caktuar, do shikoni se si forma e këtij liqeni është tejet unike në raport me liqenet e tjerë përreth.

Liqeni i Çestijes 

Pranë tij gjendet Liqeni i Çestijes që tërheq vëmendjen për faktin se është dhe liqeni më i madh i të gjithë zonës së Dumresë. Tek sa liqeni mund të shërbejë si një vend i përshtatshëm për shplodhje e piknik, jo të paktë janë ata që e përdorin atë për peshkim.

Si të shkosh në Liqenet e Dumresë

Liqeni i Degës: Elbasan – Belsh – Çepë – Fierzë – Liqeni i Degës.
Liqeni  Çestijes: Elbasan – Belsh – Çepë – Fierzë – Çestije.
Liqeni  Merhojes: Elbasan – Belsh – Çepë.
Liqeni  Seferanit: Elbasan – Belsh – Seferan.

 

 

Nga: IntoAlbania

Zbulo më Elbasan

More of your interest

What’s Hot?

Zhvilluar nga Frakton & Dizajnuar nga project.graphics