Book Your Stay
Book Your Flight
Për të njohur tamam Shkodrën, duhet patjetër të njiheni dhe me Liqenin e saj, që ka qenë dëshmitar i transformimeve të qytetit përgjatë shekujve.
Në veriperëndim të Shqipërisë gjendet Liqeni i Shkodrës, liqeni më i madh i Jugut të Evropës, dhe një nga bukuritë e shumta që Shkodra ofron për turistët. Liqeni që ndan kufijtë e Shqipërisë nga Mali i Zi, ka një sipërfaqe prej 368 km katrorë, prej të cilave 149 km katrorë i përkasin Shqipërisë.
Një ndër mënyrat më të mira për ta vrojtuar si duhet liqenin është duke ndjekur me makinë apo biçikletë rrugën për Shirokë, ku merr formë dhe lumi Buna. Rrugëtimi për Shirokë e mandej Zogaj është i mbushur me peizazhe të liqenit e maleve të shumta. Gjatë verës, disa pika strategjike bregliqenore në këtë zonë mundësojnë shumë pushues të vijnë e të shfrytëzojnë kushtet e favorshme për të bërë plazh në ujin e pastër. Prania e restoranteve buzë liqenit, ku serviret krapi i famshëm e i shijshëm, është një tjetër arsye përse të vizitosh Shirokën dhe Zogajn.
Pamje e Liqenit të Shkodrës, foto nga IntoAlbania.
Liqeni është i njohur dhe për vrojtimin e shpendëve, falë 270 llojeve të tilla që e popullojnë atë. Gati 80% e të gjitha llojeve të shpendëve që ndodhen në Shqipëri, ndër to pulëbardhat, pelikani, lejleku, apo shqiponja, mund të takohen këtu. Plot 45 lloje peshqish notojnë në liqen përgjatë vitit, ku përveç krapit vlen të përmendet ngjala, qefulli, levreku apo shojza. Me qindra lloje mikroalgash dhe 250 lloje algash krijojnë livadhe nënujore përgjatë gjithë liqenit.
Vrojtim i shpendëve në liqenin e Shkodrës, foto nga IntoAlbania.
Nga bimët ujore spikat lotosi (kasarani), një bimë me frut të ngrënshëm që mund të takohet vetëm në këtë liqen. Ajo që të bën përshtypje është se kjo bimë tekanjoze bën frut vetëm nëse bie shi gjatë verës, paçka se rrënjët i ka në ujë.
Nëse ngjiteni në Kalanë e Rozafës, do keni një panoramë vërtet të rrallë të Liqenit dhe pikës ku Buna degëzohet deri në takimin me lumin Drin dhe Kir. Bregu i Ranës, Bishtiqendia, Shegani apo Stërbeqi, janë disa nga zonat e tjera turistike përreth liqenit që ja vlen t’i vizitoni.
Pamje e liqenit nga Kalaja e Rozafës, foto nga IntoAlbania.