Livadh - Into Albania

Livadh

Plazhi i madh, i qetë dhe komod i Rivierës 

Livadhi është plazhi më i madh dhe një prej më popullorëve të krahinës së Himarës. Duhet të kalosh fshatrat simpatikë dhe plot jetë të Rivierës një pas një për të mbërritur në këtë gji te gjatë të Himarës.

Duhet ta dini se Livadhi është më afër Sarandës se Vlorës, por e rëndësishme është se të gjitha rrugët e Rivierës të çojnë lehtësisht në këtë plazh. Plazhi është i arritshëm edhe nga deti nëse e keni nisur ditën si aventurier mbi skaf, ose nëse zbrisni nga anijet-delfin në Portin e Himarës.

Plazhi dallohet që lart nga rrënojat e Kalasë së moçme të Himarës. Livadhi duket sikur është një pjesë toke që rrëshqet butë nga Himara e vjetër lart, mbi shkëmbinjtë që ruajnë krahët e plazhit. Pas krahëve, plazhi mbulohet nga ullishtet e vjetra të cilat i japin një kontrast të veçantë natyrës mikpritëse të Livadhit.

Vitet e fundit ai ka arritur popullaritet të lartë për vendasit e të huajt të cilët aty gjejnë kushte të mira dhe më shumë qetësi se sa në Dhërmi, Drimadhes, apo plazhe të ngjashme të cilat janë më rinore e njëherësh më të zhurmshme. Hapësira e bollshme e plazhit krijon mundësinë e shumëdëshiruar për hapësirë personale apo eksperiencë intime edhe në një ambient si ky, ku rrethohesh me plot turistë të tjerë. Deti mbetet një prej më të bukurve e të pastërtve në zonë!

Në Livadh, hotele të reja kanë shtuar elementë të rehatshëm akomodimi. Ushqimi është i pasur me traditën e zonës, ndërsa banorët janë mikpritës, natyra e bukur, dhe ekzistojnë plot hapësira për të apasionuarit e kamping-ut. Disa nga restorantet më të mirë në jug gjenden pikërisht në Livadh. Nasho’s Camping Restaurant si dhe Miamar janë dy të preferuarit tanë.

I egër por mikpritës, Livadhi është një nga plazhet më të veçantë në jug!

Explore More