Lodge of Wine: Përzgjedhja më e mirë e verërave shqiptare - Into Albania

Lodge of Wine: Përzgjedhja më e mirë e verërave shqiptare

Mu në zemër të qytetit të Beratit ndodhet “Lodge of Wine”, apo “Shtëpiza e Verës”, në të cilën do të gjeni produkte nga kantinat më të mira shqiptare.

Prej një viti në Berat është hapur “Lodge of Wine”, ku janë të pranishme me produktet e tyre mbi 40 kantinat më të mira shqiptare. Kjo “Shtëpizë e Verës” lindi krejt natyrshëm, si nevojë e kërkesës të tregut, por mbi të gjitha për t’i shërbyer interesit të turistëve, për të degustuar verërat tipike shqiptare. Për këtë arsye mbizotërojnë markat shqiptare, për t’i dhënë mundësinë kujtdo të bëjë një udhëtim interesant nga veriu në jug të Shqipërisë, përmes shijeve të kantinave të ndryshme.

Burimi i fotos: Lodge of Wine.

Kantinat e preferuara janë fillimisht ato të qytetit të Beratit, si Nurellari, Çobo, Luani, si dhe markat e tjera popullore shqiptare si Arbëri me kallmetin e vet, apo kantina “Bardha”. Së fundmi dhe Alpeta ka nisur të fitojë gjithnjë e më shumë vëmendje.

Burimi i fotos: Lodge of Wine.

Gjithashtu në dyqan do të gjeni konjak “Skënderbeu” dhe raki rushi me shishe të përmasave të ndryshme, përfshirë shishet e vogla të xhepit.

Burimi i fotos: Lodge of Wine.

Ajo që përbën interes është fakti se “Lodge of Wine” u krijua nga Hotel “Berati”, një emër tashmë i konsoliduar i turizmit beratas. Hoteli ndodhet në një godinë 300 vjeçare, e cila në fillimet e saj priste tregtarët që vinin nga zonat përreth, në atë që njihej si Hani i Skraparit. Përgjatë shekujve roli i godinës mori funksione të ndryshme. Prej 15 vitesh i është rikthyer famës me të cilën njihej njëherë e një kohë, si një vend ku mirëpriten udhëtarët, tashmë të ardhur nga e gjithë bota.

Burimi i fotos: Hotel Berati.

E pikërisht nisur nga eksperienca e krijuar përgjatë gjithë këtyre viteve, në të dalë të hotelit është ngritur dhe “Lodge of Wine”, për t’i servirur pushuesve të Hotel “Beratit” por edhe gjithë qytetit, shijen më të zgjedhur vendase. Herën tjetër kur të vizitoni Beratin, mos harroni të bëni një ndalesë dhe tek “Lodge of Wine”.

    09:00 to 21:00
    Antipatrea Street Get Directions

Explore More