Lugina e Kirit - Bukuroshja e Fshehur e Trojeve Shqiptare - Into Albania

Lugina e Kirit – Bukuroshja e Fshehur e Trojeve Shqiptare

Shkodra “asht dashni” jo vetëm për kulturë, por edhe për natyrë. Qytetit verior është i rrallë përsa i përket pasurisë së jashtëzakonshme natyrore dhe pozitës gjeografike që ka, pasi Shkodra është i vetmi qytet në Shqipëri që ka mal, det, lum dhe liqen.

Nëse vizitoni kalanë e Rozafës, nga aty do të mund të shihni bashkimin e tre lumenjëve Kir, Drin dhe Bunë, ndërsa nga ana tjetër qendron i qetë liqeni i Shkodrës.Dhe nëse mendoni që i keni parë të gjitha bukuritë e Shkodrës, gaboheni pasi ky qytet vazhdimisht ju surprizon!

Pamje e lumit Kir nga kalaja e Shkodrës. Foto Liridon Shala

Një ndër destinacionet e cila po merr vëmendjen e pushuesve këtë periudhë është edhe lugina e Kirit, e cila po shndërrohet në një destinacion turistik. Fshati Prekal është pjesë e kësaj lugine, e cila pozicionohet rreth 26 km larg qendrës së qytetit dhe  ofron një  bukuri mahnitëse. Ideale për një ditë pushimi dhe pa shpenzime “Lugina e Kiri” është kthyer në destinacionet kryesore të turizmit ditor në qytetin e Shkodrës. Duke parë interesin në rritje, banorët kanë nisur investimet e tyre kryesisht në bare dhe restorante duke ofruar produkte të zonës. Rruga që fatmirësisht është përmirsuar ndjeshëm ka sjellë rritje të numrit të pushuesve aty.

Lugina e Kirit, Shkodër. Foto Afrim Tahiraj

Edhe pse i vogël, ky fshat ka vlera të mëdha natyrore dhe kulturore. “Lugina e Kirit” nga të dy anët e rrugës është e rrethuar me shkëmbinj të lartë dhe të gjelbëruar, të ofron një panoramë fantastike. Kjo luginë është ideale për të apasionuarit pas hedhjeve nga lartësitë, pasi aty mund të gjesh shkëmbinj të lartë. Një tjetër “mrekulli” që mund të shijohet në këtë zonë janë dhe ujëvarat e shumta që mund të gjenden jo shumë larg njëra-tjetrës, të cilat i dhurojnë natyrës një spektakël madhështie.

Lugina e Kirit, Shkodër. Foto Eco Mendje

Lugina e Kirit, Shkodër. Foto Mirsad Basha

Shpella e Zhylës

Ndonëse zona nuk përfshihet në rrjetin e zonave të mbrojtura, aty ndodhet “Shpella e Zhylës” Monumnet Natyre. Shpella e Zhylës ndodhet në qendër të fshatit Prekal, në krahun e majtë të shtratit të lumit Kir, në lartësi rreth 400 m. Kjo shpellë është 104 m e gjatë, përbëhet nga disa galeri që ndërthuren me hapësira më të gjëra.

Shpella është e përbërë nga disa galeri që lidhen me njëra tjetrën dhe ndodhet në një gjendje mjaft të mirë për t’u vizituar nga turistët, sidomos gjatë stinës së verës ku sasia e ujit është më e vogël dhe të jep më shumë mundësi eksplorimi.

Shpella e Zhylës, Prekal. Foto ADZM Shkodër

Prekal, Shkodër. Foto Julinda Lola

Explore More