Mali Morava: Natyrë e bukur dhe mjalt i freskët - Into Albania

Mali Morava: Natyrë e bukur dhe mjalt i freskët

Harrojini për pak moment serenatat korçare, lakrorin, rrugicat me kalldrëm apo pazarin e vjetër, dhe çojeni shikimin në lindje të Korçës, aty ku lartohet Mali Morava. Ky vigan natyror që arrin deri lartësinë e 2042 metra (Maja e Badaroshit) dhuron surpriza të shumta, ndaj bëni mirë ta vendosni këtë mal në axhendën e vendeve për të vizituar kur të gjendeni në Korçë.

Çfarë të vizitosh

Kryqi i madh i bardhë është simboli i Moravës, dhe shërben si udhërrëfyes për të gjithë besimtarët apo turistët që duan të ngjisin malin. Kur gjendesh nën madhështinë e Kryqit, të vjen mëse e natyrshme të hapësh krahët e të përqafosh Korçën së largu, tek sa peizazhet përreth janë spektakolare. Pranë Kryqit ndodhet dhe Kisha e Shenjt Ilias, që dominon gjithashtu malin dhe mundëson një rrugëtim shpirtëror të rrallë falë panoramës dhe maleve të shumta që shfaqen ngado. (Për hartën kliko këtu)

Por mali nuk vizitohet vetëm nga besimtarët apo kuriozët e objekteve të kultit. Përgjatë ditëve me diell të shumtë janë të rinjtë që zgjedhin pikërisht këtë destinacion për t’u shplodhur përmes një pikniku apo duke organizuar lojëra të ndryshme. Pilotë profesionistë të fluturimeve dyshe me parashutë ofrojnë mundësinë e prekjes së qiellit nga afër, ndërsa alpinistët në dimër joshen nga ngjitja plot emocione e Majës Rrugnaja.

Ferma e bletëve

Në rrëzë të malit gjendet dhe një fermë bletësh, që është e hapur për vizita për të gjithë ata që duan të shohin nga afër mënyrën si realizohet prodhimi apo vjelja e mjaltit. Nëse keni planifikuar t’i kushtoni ditën natyrës së Korçës, nuk mund të humbisni dhe Parkun Kombëtar ‘Bredhi i Drenovës’, i cili njihet për burimet e shumta, livadhet e shkëmbinjtë me forma interesante.

Si të shkosh: Duke ndjekur Rrugën Çlirimi i Korçës deri sa të mbërrini tek kisha e Shën Ilias.

    Ndiq rrugën “Çlirimi i Korçës” Get Directions

Explore More