Mali i Tomorit - Into Albania

Mali i Tomorit

Strehë lutjesh, mitesh e aventurash unike

Është aq imponues në lartësinë e 2416 m sa në lashtësi i thurrën një kult të vetin e i luteshin atij. Ka ndikuar kaq shumë në imagjinatën kolektive të shqiptarëve përgjatë shekujve sa e kanë konsideruar Olimpin shqiptar. Është aq inspirues përmes bardhësisë së majave në dimër sa është një nga pikat e referencës të alpinizmit shqiptar. Po flasim për Malin e Tomorit, ndaj përgatituni për një udhëtim që përmban legjenda, mite, rite fetare e shumë më tepër se kaq.

Karakteristikat

Lartimi i malit në një rrafshinë pa fqinj të tjerë përreth, i jep mundësinë të shohë kryelartë në çdo skaj pa u shqetësuar nga të tjerë. Majat e thepisura, pyjet e dendura, humnerat dhe stuhitë e shpeshta, e bëjnë këtë mal mjaft tërheqës dhe sfidues për ngjitësit e shumtë. Qyteti i Beratit sheh Tomorin në lindje, ndërsa Shpiragu dominon panoramën në perëndim të tij.

Tomori i shenjtë

Etnologia angleze, Margaret Hasluck, e cila ngjiti majën në vitin 1930, u habit kur vuri re se betimi për Baba Tomorin, ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill apo Kur’an. Sipas ekspertëve ky kult mbetet nga kultet pagane natyrore, ku fenomenet natyrore shpjegoheshin duke i dhënë malit fuqi të mbinatyrshme.

Përgjatë shekujve ritet pagane, kristiane e islame, kanë bërë që Tomori sot të konsiderohet një mal i shenjtë. Për këtë arsye dhe rilindasit shqiptarë, i kanë kënduar malit me shpresën se mund të zgjonin një ndërgjegje kombëtare. Ja se si i këndonte poeti i njohur Andon Z. Çajupi në poezinë e tij “Baba Tomori”:

“…mal i lartë, fron i perëndisë,
tek ti vinin njerëzit që moti
për të msuar se ç’urdhëron zoti…”

Në këtë mal ndodhet dhe Teqeja e Kulmakut dhe Tyrbja e Abaz Aliut, që veçanërisht në dhjetë ditëshin e fundit të gushtit tërheqin me mijëra besimtarë bektashian nga e gjithë bota.

Tomori i aventurës

Nga pelegrinët që ngjisin malin për lutje e bekime, apo alpinistët që nuk ndalen së sfiduari veten, të shumtë janë ata që duan të ngjisin këtë mal. Me livadhe që të lënë pa fjalë nga bukuria  e tyre në pranverë e një bora që e vesh aq mjeshtërisht në përiudhën më të ftohtë të vitit, ngjitja e Tomorit është një nga përvojat më të rëndësishme të alpinizmit dhe turizmit shqiptar. Në muajt e verës organizohen dhe paketa interesante turistike, për të bërë hiking, camping, apo edhe ngjitje të malit me mushkë.

(Për më tepër klikoni këtu.)

    Berat-Tomorr ose Berat-Dardhë ose Berat-Lybesh ose Berat-Kapinovë ose Berat –Poliçan –Pronovik-Qafa e Kulmakut ose Berat –Poliçan –Çorovod-Gjerbës -Trebel –Dumck-Romas-Terov Get Directions

Explore More