Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë - Into Albania

Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë

Bukuria bizantine brenda qytetit antik

 Ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëra vjeçare të Parkut Arkeologjik të Apollonisë, fushën e myzeqesë dhe detin Adriatik, Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë përbëjnë një nga komplekset fetare më mbresëlënëse që mund të vizitoni në të gjithë vendin. E lëjmë pas botën politeiste të rrënojave të Apollonisë ku nderoheshin me dhjetëra perëndi të ndryshme, e hapim portën e një periudhe tjetër në historinë e perëndimit, atë të krishtërimit.

Tek  sa ndërtimi i tij mendohet se ka nisur në shekullin e XIII, materialet e përdorura datojnë shumë më herët, duke qënë se u përdorën blloqet e shkallareve të teatrit apo të rrënojave të tjera të lashtësisë që gjendeshin përreth. Ky takim mes antikitetit dhe arkitekturës bizantine, së bashku me Muzeun Arkeologjik të pozicionuar brenda Manastirit, e bëjnë këtë kompleks tejet të rrallë për nga vlerat historike, arkitekturore, kulturore e fetare.

Mozaikët pranë trapezerisë (mencës së murgjëve), portiku i Kishës me kolonadën e bukur prej tetë shtyllash, ikonat dhe pikturat murale, krijojnë një kompleks mjaft sugjestiv. Në vitin 1927 u rindërtua ikonostasi si dhe u ndërtua këmbanarja e bukur që i jep një tjetër pamje gjithë zonës. Disa qiparisë të vetmuar shërbejnë si dekor perfekt në këtë kompleks që ngjan i krijuar enkas për t’i lënë hapësirë udhëtimit shpirtëror.

Muzeu Arkeologjik i Apollonisë

I vendosur brenda ambjenteve të Manastirit, Muzeu përmban disa nga thesaret e gjetura gjatë ekspeditave të ndryshme arkeologjike të realizuara në Apolloni. Falë restaurimeve të kryera së fundmi, portiku i mrekullueshëm me statuja dhe mozaiku kryesojnë listën e atraksioneve, por nuk mbeten pas dhe objektet e tjera të baltës së pjekur apo qeramikës, enët e pikturuara me mitologji helene, si dhe koleksioni i pasur numizmatik.

    Prill - Shtator, Çdo Ditë 9:00 - 18:00 Tetor - Mars, Çdo Ditë 9:00 - 17:00
    Pojan, Fier Get Directions

Explore More