Manastiri i Shën Kollit (Mesopotamit) - Into Albania

Manastiri i Shën Kollit (Mesopotamit)

Në jug të fshatit Mesopotam në rrethin e Sarandës, fare pranë qytetit antik të Finiqit mund të vizitoni një nga perlat e arkitekturës bizantine në Shqipëri. Manastiri i Shën Kollit që njihet ndryshe edhe si Manastiri i Mesopotamit ka ruajtur më së miri gjurmë të rralla të trashëgimisë kulturore qindravjeçare.

Historia

Kisha mendohet se është ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin Monomaku në shekullin e 11-të. Objekti është tipik bizantin me strukturë mahnitëse që rrethohet nga rrënoja origjinale të mureve të dikurshme. Drita e diellit që depërton nga dritaret i skalit më shumë zbukurimet floreale në muret dhe kolonat e brendshme. Harqet që ndajnë dhomat e manastirit dhe muratura e jashtme e ndërtuar me tullë e vendos Kishën e Shën Kollit në listën e objekteve të rralla. Katër çati në formë rrethore mbështeten tek njëra-tjetra dhe mbajnë hyrjen në portikun e kishës. Oborri i manastirit rrethohet nga hija e ullinjve dhe qiparisave qindra vjeçarë.

Manastiri i Shën Kollit. Foto nga IntoAlbania.

Restaurimet

Kisha është prekur disa herë për ta ruajtur nga fenomenet atmosferike. Studiuesit kanë mbajtur shënim një rindërtim në vitin 1793 dhe tjetrin në vitin 1845. Përpjekja e fundit për ta mbrojtur kishën e për të rikuperuar dekoret e brendshme u bë gjatë vitit 2018 duke gjallëruar dëshmitë e objektit të kultit. Restaurimi i fundit përforcoi muret e brendshme, harqet mbi dritare dhe çatitë. Pjesa më e vështirë që ka marrë më shumë kohë ishte rizbulimi nga pluhuri i kohës i simboleve bizantine të shpërndara në arkitekturën e kishës.

Vendndodhja

Manastiri i Shën Kollit ndodhet në fshatin Mesopotam mbi një lartësi që dallohet në luginën jugore. Rruga për të shkuar në destinacion është e mirë, dhe panoramat përreth janë tejet sugjestive.

 

Explore More