Memoriali i Skënderbeut në Lezhë - Into Albania

Memoriali i Skënderbeut në Lezhë

Partenoni i Shqipërisë

Memoriali i Skënderbeut në Lezhë është njëherësh varri më madhështor në Shqipëri. Ai i përket heroit më të madh shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Besnikëria e Skënderbeut ndaj Shqipërisë dhe lufta e tij e gjatë për pavarësinë e saj kundër pushtimit Osman është e mirënjohur në gjithë botën. Është e qartë se Shqipëria i detyrohet shumë këtij heroi e, për këtë arsye, ajo e ka nderuar atë me një monument madhështor në qytetin e lashtë të Lezhës.

Inspirimi

Duke sjellë në mendje struktura me kolona të mermerta të cilat i dedikoheshin figurave të tjera të rëndësishme botërore, ky Memorial, përfaqëson një objekt me vlera të shumta historike dhe arkitektonike për Shqipërinë. Ka përfituar formën e tij përfundimtare në vitin 1981, gjatë kohës së komunizmit, kur ai u kthye në Memorialin e Vendvarrimit të Skenderbeut. I vendosur në një hapësirë të dukshme, siperfaqja e Memorialit është rreth 225 m2 duke përfshirë brenda tij rrënojat e Katedrales së Shën Nikollit, mbi të cilën ai është ndërtuar. I ideuar nga skulptori i mirënjohur Odhise Paskali, i cili ka krijuar disa nga veprat më të njohura në Shqipëri, e me arkitekt Latif Lazimin, ky vend e përfaqëson denjësisht madhështinë e Skënderbeut.

Varrimi

Skënderbeu vdiq në 17 Janar të 1468-ës, dhe u varros në këtë vend, aty ku ai kish themeluar “Besëlidhjen e Lezhës” në mars të 1444-ës, me të cilën bashkoi principatat shqiptare kundër pushtimit Osman. Mbi pllakën e mermertë të varrit, në një rrethim simbolik, janë vendosur kopja e shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut, marrë nga ato origjinalet të cilat ruhen në Kunsthistorisches Museum  në Vienë. Muret e Katedrales së Shën Nikollit, të ndërtuara në shekullin e 14-të, janë të dekoruara me 25 shpata dhe mburojën prej bronxi të Skënderbeut, të cilat tregojnë historinë e 25 betejave kryesore të heroit kundër pushtuesve turq. Tek sa është e vështirë të dihet fati i eshtrave të heroit, mendohet se ushtarët turq 12 vite pas vdekjes së Skënderbeut rrëmbyen eshtrat për t’i patur si hajmali.

Nëntoka

Arkeologët flasin edhe për të tjera pasuri të “nëndheshme” që mund të gjenden tek Memoriali i Skënderbeut, duke përfshirë ndërtime pagane, të cilat datojnë nga shekulli i 3-të pas Krishtit. Gërmime të herëpashershme kanë zbuluar mure të lashtë përreth Memorialit të Skënderbeut duke e kthyer atë në një monument me vlera të larta arkeologjike. Por, le të mos harrojmë se, mbi të gjitha, ai mbetet vendi ku gjendet shpirti i një heroi të pashembullt!

    Prill - Shtator, Çdo Ditë 8:00-20:00 Tetor - Mars, Çdo Ditë 8:00-17:00
    Rruga "Kuvendi i Arbërit" , Lezhë Get Directions
    1 orë

Explore More