Memoriali "Postblloku" - Into Albania

Memoriali “Postblloku”

Tre copëza historie që lindën e perënduan me komunizmin

Figura e bunkerit është simbol i izolimit të periudhës së komunizmit në Shqipëri si edhe të përgjimit e vigjilencës paranojake të atij regjimi. Një bunker i vogël tashmë është vendosur edhe buzë bulevardit kryesor të kryeqytetit. Sot, ky bunker bëhet simbol i rënies së regjimit 45-vjeçar, më totalitar të Evropës. Vendosur në hyrje të ish-Bllokut, pranë godinës së Parlamentit, dhe shtëpisë së ish-diktatorit Enver Hoxha, Memoriali “Postblloku” shfaqet pikërisht në zonën ku dikur jetonin anëtarët e qeverisë e ku hyrja për të tjerë ishte rreptësisht e ndaluar.

I krijuar në vitin 2013, për të nderuar ish të përndjekurit politikë, ky Memorial u projektua pikërisht nga dy prej tyre, shkrimtari Fatos Lubonja dhe artisti Ardian Isufi. Ekspozita mban tre hapësira monumentale, secila me historinë e saj: bunkeri, kolonat e minierës së Spaçit, si dhe një pjesë të Murit të Berlinit. Vetë bunkeri dëshmon vigjilimin e ushtarit për të ruajtur ish udhëheqësit e Bllokut. Burgu i Spaçit, i ndodhur 60 km në veri të Tiranës, ishte një ndër kampet e punës më të ashpër e të frikshëm të Shqipërisë. Aty dërgoheshin kundërshtarët politikë të regjimit e kryheshin pushkatime, shumë prej të cilave janë ende të paidentifikuara. Në Spaç ndodhej edhe miniera e bakrit, ku të burgosurit politikë punonin në kushte të jashtëzakonshme e të mjeruara. Kolonat e kësaj miniere janë vendosur në qendër të kryeqytetit që kujtesa e dhimbshme e burgjeve të diktaturës mos të harrohet.

Një pjesë e rëndësishme është dhe copëza e Murit të Berlinit. Ky simbol i rënies së komunizmit në mbarë botën i është dhuruar Tiranës nga qyteti i Berlinit, në shenjë solidariteti të popujve që kanë vuajtur një histori të ngjashme. Faqja “perëndimore” e murit, ajo plot me grafite shumëngjyrëshe është e kthyer nga bulevardi ndërsa ana “lindore”, ku ende shfaqet grija e zymtë e betonit, është e kthyer në drejtim të ish-Bllokut. Që e shkuara të mos përsëritet, ajo duhet rikujtuar përherë me gjithë dimensionin e saj, edhe pse të dhimbshëm. Memoriali “Postblloku” ja del më së miri në këtë detyrë.

    Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë Get Directions

Explore More