Moren Handmade: Të sjellësh drurin në jetë - Into Albania

Moren Handmade: Të sjellësh drurin në jetë

Doni të vizitoni një punishte interesante druri? Mu në të majtë të shkollës “Çajupi” ndodhet “Moren Handmade”, punishtja e Fatmirit, i cili pasionin e një jete tashmë do ta zhvillojë edhe më tej.

“Sa herë shoh një copë druri përballë, nis e pyes veten se si mund t’i jap jetë. Pak a shumë si Xhepeto me Pinokun,” – na thotë Fatmir Baushi, një inxhinier në fushën e telekomunikacionit, që në kohën e lirë merret me punimin e drurit të papërpunuar, paletave, apo materialeve të tjera të riciklueshme. E takojmë Fatmirin tek sa është duke punuar mbi një tablo të thjeshtë, një yll deti të veshur me një litar peshkarexhash. “Është një dhuratë për një mikun tim që donte të vishte muret e shtëpisë në plazh, një gjë që e bëj me kënaqësi.”

Fatmir Baushi në punishten e tij, foto nga IntoAlbania.

Nga drupunuesit që mund të takoni, Fatmiri hyn në kategorinë e atyre që e bëjnë këtë punë për pasion, për të lëvruar një art të cilin e sheh si trashëgimi të babait. Tek sa bisedojmë, na tregon plot foto punimesh, shumica e të cilave janë dhurata për miqtë apo të afërmit, të vemit që ndoshta e dinë se Fatmiri mund të punojë mjeshtërisht drurin.

Veglat e vjetra të punës të të atit, foto nga IntoAlbania.

Një kuti bizhuterish kërkuar me porosi, foto nga IntoAlbania.

Por, një pasion i tillë do ishte mëkat të mbetej i limituar vetëm tek një rreth i ngushtë njerëzish. Na merr vëmendjen një punim krejt unik, një abazhur druri i konceptuar e realizuar prej tij me rimeso lisi. Fatmiri kur flet për krijimet e tij materiale, i vesh përherë një dimension shpirtëror, që të kujton përse punimet artizanale janë një zgjidhje më e plotë se ato që tregëtohen masivisht nëpër dyqane.

Foto nga IntoAlbania.

Profesioni primar i ka dhënë mundësi të udhëtojë kudo nëpër Shqipëri, të njihet me natyrën shqiptare, të inspirohet prej saj. Në atelienë e tij, që ka qënë më parë magazina e familjes, sheh drunj të ardhur nga të gjitha cepat e vendit. Na thotë se drurin mund ta presë apo t’i japë një formë tjetër në varësi të punimit, por kurrësesi t’i heqi të vërtetën që mbart.

Një nga punimet e Baushit, foto nga IntoAlbania.

Ka plot raste kur drunjtë i ruan fiks siç i ka gjetur, vetëm duke i dhënë një prekje artistike finale punimit. Na tregon një kornizë pasqyre të realizuar me shkopinj pishe të grumbulluar në Plazhin e Gjeneralit.

Merr një tjetër arkë me shkopinj të grumbulluar po në një nga plazhet e jugut. “Shih sa të bardhë janë, sa të pastër, secili prej tyre me një formë interesante të vetën. Duket ndikimi i rërës dhe kripës së detit.”

Foto nga IntoAlbania.

Tashmë punishtes i ka dhënë një emër, “Moren Handmade”, që është bashkimi i emrit të vajzave, Morela dhe Reina. Edhe pse të vogla, edhe ato sipas Fatmirit kanë një qasje artistike dhe kreative ndaj botës, e kjo gjë duket që e lumturon. E pyesim për realizime të mundshme që mund të na bëjë, e ai nuk heziton të na japë ide e të na flasë me një entuziazëm që e kishim harruar se mund të shfaqej për mobilje, apo për gjëra materiale.

“Si mund ta bëj të flasë,” – kjo është pyetja e Fatmirit, që tek sa ai ja bën drurit, na lë dhe ne pa përgjigje, por vetëm me admirim për punimet e tij, që kanë jetë, aq shumë të munguar në objektet tona të përditshme.

Explore More