Mozaiku i Mesaplikut dhe misteri i burrit me kësulë - Into Albania

Mozaiku i Mesaplikut dhe misteri i burrit me kësulë

Ndër mozaikët më interesantë të Shqipërisë është Mozaiku i Mesaplikut, i shekullit të VI, i cili gjendet i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. Ajo që ndjell interes është portreti i një personazhi të panjohur, dhe mbishkrimi që ende sot vjen me shumë pikëpyetje.

Askush nuk mund të thotë se si është ndjerë në vitin 1979 arkeologu Damian Komata, kur zbuloi në rrënojat e një kishe Paleokristiane, një mozaik të harruar nga koha, siç ishte deri në atë moment Mozaiku i Mesaplikut. Zbulimi ndodhi në Mesaplik të Vlorës, në vendin e quajtur Bregu i Kishës.

Mozaiku është ndërtuar mbi një shtresë betoni të formuar përmes një teknike romane që kombinonte gelqeren me pluhurin e tullës. Gurët kubikë të spektrave të ngjyrave të ndryshme, të përmasave 1-1.5 cm, krijojnë figura zogjsh, peshqish, lulesh apo frutash, në një lartësi prej 230 cm në total dhe gjerësi prej 249 cm.

Misteri i një portreti

Në qendër të mozaikut paraqitet një figurë burri me kësulë me majë, dhe dy kordele nga mbrapa, në të djathtë të të cilit lexohet APARKEAS. Të gjitha gërmat I përkasin alfabetit latin, përveç gërmës së dytë P, që shkruhet sipas alfabetit grek. Pyetjeve se cili është personazhi në qendër të mozaikut apo se çfarë domethënie ka mbishkrimi djathtas tij, përgjatë viteve i janë përgjigjur shumë studiues.

Mozaiku i Mesaplikut, foto nga IntoAlbania.

Simbolika e erës së veriut

Versioni i parë i dhënë është ai i “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” të vitit 1985. Sipas fjalorit aparkeas vjen nga greqishtja e vjetër e nënkupton erën e veriut. Gjithashtu për të argumentuar këtë tezë, disa studiues ndaleshin te fakti se mozaiku ishte vendosur me kokë nga veriu, kordelet valëviten nga era etj. Por studiues të mëvonshëm, argumentojnë se si në greqishten e vjetër era e veriut shkruhej në dy forma: aparktias si dhe aparkias, por jo aparkeas si në rastin e mozaikut.

Sekti i Bazilitëve

Një nga studiuesit më të njohur shqiptarë, njëherësh ish-drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Moikom Zeqo, e shpjegon ndryshe mbishkrimin.

Në librin “Arkeologjia, Gramatikë e fakteve”, Zeqo thotë se aparkeas vjen nga emri i hyjnisë Abraxas, që konsiderohej figura më e lartë e sektit të Bazilitëve. Prania në vendin tonë e sektit, mund të shpjegohet me ndikimin që komuniteti Hebre kishte në Vlorë gjatë asaj periudhe.

Ja se si shkruan dhe në një artikull të botuar në gazetën “Dita” studiuesi Zeqo:

“Hyu Abraxas i hebrenjve krijoi një kult sinkretizmi me Jahovain e të krishterëve në shekujt II dhe VI edhe në rrethinat e Vlorës, ku dihej që gjallonte edhe një komunitet hebrenjsh. Mozaiku i Mesaplikut me këtë subjekt ikonografik është i vetmi në gjithë botën e Antikitetit të Vonë.” (Gazeta Dita, 21 shtator 2018)

Ha pak, ke të hash

Një tjetër teori interesante vjen nga studiuesi Niko Stillo, sipas të cilëve fjalia është në shqip, dhe do të thotë tekstualisht “A PAK KE T’AÇ”, “Ha pak, ke të hash.” (A.Llalla). Sipas Stillos, figura e portretizuar është ajo e një murgu, i cili predikon një mënyrë modeste jetese. Kësula në kokë do të ishte një argument më shumë për këtë teori. Edhe studiuesi Arben Lalla mbështet teorinë se mbishkrimi është në shqip.

Ndërtuesi i bazilikës

Sipas një teze tjetër të Neritan Cekës, personazhi në mozaik dhe mbishkrimi flasin për ktitorin (ndërtuesin e bazilikës). Ja se si e sqaron ai në librin e “Ilirët” tezën e tij:

“Mbishkrimi i Aparkeas, i vendosur përpara fytyrës duket se shpjegon emrin e këtij personazhi, që do të ishte kështu ktitori i kishës”. (Neritan Ceka, Ilirët, SH. B. Migjeni, Tiranë 2005, f. 284)

Figura e Justinianit

Teza më e fundit, është ajo që na vjen nga studiuesi Etnor Canaj, sipas të cilit portreti i mozaikut është ai i perandorit Justinian, që duket se do të hapë një tjetër debat akademik interesant.

E tek sa këto janë vetëm disa nga teoritë kryesore që hasen për mozaikun, plot teori të tjera qarkullojnë mbi personazhin apo mbishkrimin, duke e bërë këtë mozaik mjaft tërheqës për sytë e studiuesve dhe vizitorëve.

    Muzeu Historik Kombëtar, Sheshi Skënderbej Get Directions

Explore More