Muzeu Dioqezan Shkodër-Pult - Into Albania

Muzeu Dioqezan Shkodër-Pult

Një histori besimi që mund ideologjitë shkatërrimtare

Muzeu Dioqezan Shkodër-Pult, është një nga muzetë më interesantë që mund të vizitoni jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë vendin. Ky muze sjell në vëmendjen e vizitorit prezencën e Kishës katolike dhe të besimit të krishterë në Shqipëri veçanërisht në veri të vendit, duke bërë të njohur një histori mbijetese, si gjatë sundimit osman, aq edhe gjatë diktaturës komuniste. Falë objekteve kishtare, zbulimeve të ndryshme arkeologjike apo veprave të artit, ky muze me 16 seksionet e posaçme do t’ju përfshijë në një rrugëtim unik të prezencës së krishterimit në vendin tonë.

Foto nga IntoAlbania.

Objektet e vjetra, arkitektura

Tek sa objekti më i vjetër i muzeut është një monedhë romake e periudhës së Konstandinit (perandor gjatë viteve 306-337), nuk mungojnë objektet e gurit të gjetura rreth viteve 1100-1200, apo objekte të tjera kishash dhe artifakte me vlerë, të ardhura nga vende të ndryshme të Veriut të Shqipërisë, si p.sh. kelke e ostembajtëse të shek. XVII, shishe vajërash të shenjtë, zile të ndryshme, mesharë etj., që dëshmojnë veprimtarinë e pandërpre të Kishës katolike si gjatë periudhës osmane, ashtu edhe gjatë komunizmit.

Foto nga IntoAlbania.

Për më të interesuarit e arkitekturës së kishave përgjatë shekujve, muzeu paraqet metamorfozën e tyre gjatë periudhës osmane apo diktaturës. Përmes një dokumentimi të mirëbërë, vizitorët do të njihen me kalvarin e mundimshëm të Kishës katolike në Shqipëri dhe të besimtarëve të saj.

Foto nga IntoAlbania.

Kryqi i Dukagjinit

Njëri prej objekteve me peshë historike dhe shpirtërore është edhe Kryqi i Dukagjinit, realizuar më 15 korrik 1940. Ky Kryq synon të përkujtojë fitoren e 300 ushtarëve shqiptarë kundër 3000 trupave malazeze, dërguar nga Mbreti Nikolla për të pushtuar territorin e Dukagjinit gjatë Luftës së Parë Botërore. Emrat e 81 personave që humbën jetën duke luftuar për liri, janë gdhendur në këtë kryq, i cili gjatë regjimit komunist jo vetëm që u harrua, por njëri krah i tij u përdor prej një familjeje si arkitra për një dritare të shtëpisë së saj. Për fat të mirë, ky objekt sot ka dalë sërish në dritë dhe mund t’i kushtohet respekti i duhur.

Kryqi i Dukagjinit, foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Zoja e Këshillit të Mirë

Në muze do të njiheni edhe me historikun e Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë dhe të rëndësisë historike e simbolike të pikturës në vaj “Zoja e Këshillit të Mirë”. Kulti popullor i ngritur mbi këtë figurë në Shkodër gjen një rëndësi të veçantë për të krishterët, ndaj muzeu ua rrëfen të gjithën.

Foto nga IntoAlbania.

Për t’u vizituar

Në muze ndodhen edhe plot objekte të tjera me interes, si p.sh. skulptura prej druri e Shën Rrokut apo gjysmëbusti i Shën Kollit, të cilat u ruajtën me fanatizëm nga besimtarët katolikë egjatë diktaturës komuniste. Këto objekte, ashtu si dhe shumë të tjera, dëshmojnë për fuqinë e besimit dhe të fesë, që triumfoi mbi ideologjitë shkatërruese apo sistemet totalitare.

Muzeu, falë paneleve informuese dhe audio-guidave në disa gjuhë (shqip, anglisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, frëngjisht, polonisht dhe kroatisht), do t’ju mundësojë një rrugëtim vërtet sa historik, aq edhe shpirtëror në të shkuarën e krishterimit shqiptar.

Foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Muzeu plotësohet prej një salle multimediale dhe ekspozuese ku mund të shihen edhe objekte të tjera historike e artistike dhe e cila mund të përdoret edhe për takime formative e laboratorike.

Foto nga IntoAlbania.

Pjesa jashtë muzeut është konceptuar në vazhdimësi me oborrin e katedrales dhe lidh dy pjesët e saj, duke parashikuar edhe një pikë mbledhjeje në rast emergjence dhe një parkim. Gjithçka është konceptuar sipas kritereve moderne të menaxhimit të Muzeve, në respektim të normave ndërkombëtare për katalogimin dhe ruajtjen e pasurive muzeale: siti i internetit të Muzeut ofron një hartë të shërbimeve që përdoruesit mund ta konsultojnë on-line.

Foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

    E hënë - e premte 09:00-13:00 dhe 15:00-17:00 (Gjatë dimrit, Muzeu është i hapur vetëm paraditeve, tek sa pasditeve vetëm për prenotime në grup) E shtunë 09:00-13:00
    Katedralja e Shën Shtjefnit, Sheshi "Gjon Pali II" Get Directions

Explore More