Muzeu Etnografik i Elbasanit - Into Albania

Muzeu Etnografik i Elbasanit

Një rrëfim i studiuar i jetës së qytetit

Pozicionuar në qendër të qytetit, jo larg Kalasë së Elbasanit, Muzeu Etnografik në Elbasan është një shtëpi dy-katëshe e shekullit të 18-të që rrëfen kulturë, folklorin dhe stilin e jetesës së qytetit.

Muzeu i traditave të jetesës në Elbasan gjendet në një nga shtëpitë e vjetra të qytetit. Ndërtesa është 200 vjeçare dhe përfaqëson një nga shtëpitë tipike të stilit post-mesjetar shqiptar. Godina dy-katëshe shquhet për ballkonin e madh të shtruar e të rrethuar nga druri. Në gjuhën e folkut shqiptar ky konstruksion njihet si çardak. Dikur, gjatë muajve të ngrohtë, aty priteshin miqtë apo qëndronin burrat e shtëpisë për të kuvenduar ngjarjet e qytetit dhe të fisit.

Muzeu Etnografik

Muzeu Etnografik i Elbasanit, foto nga IntoAlbania.

Objekte Etnografike

Muzeu pasqyron në mënyrë të detajuar kulturën dhe folkun e Shqipërisë së Mesme, zejtarinë e kohës dhe jetën e përditshme të banorëve të qytetit e rrethinave. Për një vizitor të huaj apo shqiptar punimet e shajakpunuesve, qeleshpunuesve, terzinjve, punimet e opingarëve, saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve janë të dobishme për të kuptuar ndikimet dhe rrymat kulturore të zonës. Mbresëlënës janë mullinjtë primitivë të vajit dhe guri mortor i legjionarit Mark Sabiti. Për këtë të fundit etnografët thonë se tregon vendndodhjen e dikurshme të Elbasanit (Skampis). Muzeu Etnografik ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit. Në vështrim të përgjithshëm ndërtesa i ngjan shumë shtëpive karakteristike në zonat e Beratit, Shkodrës dhe Gjirokastrës.

Ndërtimi

Banesa ngrihet në dy kate. Kati i parë dikur përdorej për të magazinuar prodhimet bujqësore me të cilat ushqehej familja. Në këtë hapësirë janë kompozuar me orendi tipike elbasanase, korridori i brendshëm, dhoma e punimit të leshrave dhe metaleve. Kati i dytë përdorej për banim, ndërsa tani është adoptuar për shfaqjen e orendive në dhomat e grave dhe të burrave. Veçanërisht tërheqës është zbukurimi i dhomës ku rrinte nusja e re e shtëpisë.

    11 Nëntori Street (Rruga 11 Nëntori) Get Directions

Explore More