Muzeu Etnografik i Krujës - Into Albania

Muzeu Etnografik i Krujës

Shtëpia e traditës së vërtetë

Muzeu Etnografik i Krujës ofron gjithçka për atë që ka kuriozitetin të shohë se si shekujt përplasen me njëri-tjetrin në kulturën popullore. Guida e këtij muzeu është një ndër personalitet më interesantë të vendit, falë njohurisë së tij për traditën e Krujës por edhe talentit të tij në tregimin e saj. E treguar nga ai, historia do të duket si përrallat që, një herë e një kohë, tregonin gjyshet tona. Në këtë muze, ndihesh si në shtëpi!

I ndërtuar gjatë viteve ‘700, ky muze është vlerësuar si një ndër banesat më të veçanta në Ballkan. Një godinë e bardhë tre-katëshe me një kullë të vendosur në mes, e hapur në dy krahët me dritare të mëdha e të vogla të gdhendura mjeshtërisht dhe me shkallët e jashtme në stilin e shtëpive të vjetra, kjo godinë është një vepër arti e cila rrezaton një ngrohtësi 300 vjeçare. Muzeu ndodhet në oborrin e fortifikuar të Kalasë së Krujës e përreth muzeut, dallohen gjurmët e burimeve ujore apo krojet, të cilët dëshmojnë se emri i qytetit Krujë vjen nga kjo pasuri natyrore.

Ekspozita e rrallë nis në oborrin e saj me objektet tradicionale qindravjeçare si furra e pjekjes, kosherja e bletës në gur, koteci i pulave, vendi i qenit e shumë të tjerë. Në katin e parë, janë vendosur veglat tradicionale me të cilat punohej toka, ato të blojës, drithit, pastrimit të grurit, e shumë të tjera. Në këtë mjedis ruhet një ndër zejet më të vjetra që lidhet me përpunimin e lëkurës, por edhe me prodhimin e hasrave, e shtrojeve prej kashte që përdoreshin për t’u ulur ose fjetur. Një tjetër traditë është kultivimi dhe përpunimi i ullirit, për të cilën Kruja ka një histori prej kohës së Skëndërbeut. Këtu mund të prekësh këtë atmosferë: govatat prej druri ku shtypnin ullinjtë me këmbë dhe enën e madhe qeramike ku mbahej vaji. Kati i dytë tregon dhomën e grave e cila përfshin pajën e stolitë, si edhe dhoma e vajzave të cilat vazhdonin traditën e mikpritjes dhe të shërbimit të përulur ndaj të zotëve të shtëpisë. Një atmosferë krejtësisht ndryshe gjendet në dhomën e burrave, e dekoruar me shpata e pushkë, aty ku gratë vrojtonin nëpërmjet dritareve të vogla se çfarë u mungonte në sofër e mund të hynin vetëm për të shërbyer. Një traditë që, ndonëse tashmë duket si pjesë e së kaluarës, ka lënë gjurmët e saj në jetët e Shqiptarëve!

Të gjitha këto kalojnë në metrazhe filmike në tetë ekranet që janë vendosur në muze, copëza etnosi që plotësojnë të gjallën. Dalja nga ky muze në oborrin e Kalasë shfaq pamjet e qytetit të ri të Krujës të ndërtuar jo shumë kohë më parë gjatë komunizmit duke theksuar kontrastin midis jetëve të banorëve të tij ndër shekuj.

 

    Çdo ditë 9:00-18:00
    Rruga "Kala", Krujë Get Directions
    2 Orë

Explore More