Muzeu Etnografik i Kukësit: Udhëtim në Historinë, Natyrën dhe Kulturën - Into Albania

Muzeu Etnografik i Kukësit: Udhëtim në Historinë, Natyrën dhe Kulturën

Mësoni më shumë rreth kulturës dhe stilit të jetës së Kukësit, si dhe pse “qyteti i tulipanëve” u propozua gjithashtu për çmimin Nobel të Paqes.

Kukësi, i vendosur në pjesën verilindore të vendit, është qyteti simbol i mikpritjes shqiptare. Pozicioni gjeografik dhe bukuritë natyrore, e kanë kthyer atë në një ndër destinacionet turistike më të preferuara. Sidoqoftë, mbrapa nuk mbetet edhe historia, kultura dhe tradita e pasur. Për të vizituar zonën, me vlerë dhe interesate do të ishte Muzeu Etnografik i qytetit.

Qendra e qytetit të Kukësit. Foto nga IntoAlbania.

Muzeu Etnografik i Kukësit

I pozicionuar në qendër të qytetit, është një godinë modeste e ndërtuar vitet e fundit. Në të do të gjeni informacion gjithëpërfshirës për historinë, etnografinë dhe biodiversitetin. Muzeu është i ndarë në tre pavione: Biodiversiteti, Arkeologjia dhe Etnografia.

Godina e Muzeut Etnografik Kukës. Foto nga IntoAlbania.

Pavioni i Biodiversitetit

Kushtet klimatike të zonës e bëjnë këtë vend me një ekosistem të pasur që është i dokumentuar mirë me katalogjet fotografike të këtij pavioni. I njohur ndryshe si Qyteti i Tulipanëve, Kukësi është Amsterdam i Shqipërisë, ku shumëllojshmëria e tulipanëve është më e pasura në vend. Ndër të tjera, Kukësi ka më shumë se 750 lloje bimë medicinale, 80 prej të cilave prodhohen e mblidhen nga fermerët vendas. Sherebelë, duhani i egër, dollia e zezë dhe salepi, janë vetëm disa prej tyre. Përveç pasurisë së florës dhe faunës, Kukësi njihet dhe për pasuritë natyrore. Disa nga burimet natyrore më të vlerësuara të rajonit janë kromi, bakri dhe uraniumi.

Pavioni i Biodiversitetit, Muzeu Etnografik Kukës. Foto nga IntoAlbania.

Pavioni i Biodiversitetit, Muzeu Etnografik Kukës. Foto nga IntoAlbania.

Pavioni Arkeologjik

Në pavionin arkeologjik ju do të njiheni mbi ekzistencën e qytetërimit kuksian, e cila daton që para 6000 viteve, para lindjes së Krishtit. Në zonën e Kolshit janë gjetur gjurmë që e dëshmojnë këtë fakt. Shfaqja e tuma ilire (kodërvarreve), në periudhën e bronzit, dëshmojnë gjithashtu për ekzistencën e Kukësit në antikitet. Nëse jeni të interesuar të eksploroni më shumë arkeologjinë e zonës, mund të gjeni shumë objekte të tilla edhe në Institutin Arkeologjik të Tiranës.

Pavioni i Arkeologjisë, Muzeu Etnografik Kukës. Foto nga IntoAlbania.

Pavioni i Arkeologjisë, Muzeu Etnografik Kukës. Foto nga IntoAlbania.

Pavioni Etnografik

Duke qenë një zonë e thellë, Kukësi nuk ka pasur shumë ndikime të jashtme, të cilat mund të kenë ndikuar në traditë. Të ecësh në këtë pavion do të ndihesh sikur po udhëton në vend, e kohë tjetër. Duhet theksuar se, ndërsa bëni këtë udhëtim, objektet që shikoni janë modele të përpunuara me përpikmëri, duke i qendruar besnik origjinales. Një nga simbolikat e veshjes më të vjetër, është me punim mitani, i cili i përket zonës së Lumës dhe mendohet që është veshje mesjetare. Interesante për t’u vizituar është edhe oda e grave dhe e burrave të kompletuara me dekorime karakteristike.

Pavioni Etnografik, Kukës. Foto nga IntoAlbania.

Veshje e vjetër, Pavioni Etnografik, Kukës. Foto nga IntoAlbania.

Oda e Grave, Muzeu Etnografik Kukës. Foto nga IntoAlbania

Oda e Burrave, Muzeu Etnografik Kukës. Foto nga IntoAlbania

Kulla e Memories

E vendosur pranë Muzeut Etnografik, Kulla e Memories është një dhuratë nga Kosova për qytetin e Kukësit, në shenjë mirënjohjeje për pritjen e ngrohtë të refugjatëve kosovarë nga vëllezërit e tyre shqiptarë në 1999. E përuruar më 16 Prill 2009, struktura ka formën e një obelisku, e cila brenda përmban fotografi që dokumentojnë eksodin masiv të Kosovës në vitin 1999. Si rezultat i solidaritetit dhe mikpritjes të popullit të Kosovës gjatë kësaj periudhe, Kukësi është qyteti i parë në botë që është nominuar për Çmimin Nobel të Paqes në vitin 2000.

Kulla e Memories, Kukës. Foto nga IntoAlbania.

Explore More