Muzeu Historik Arkeologjik i Vlorës - Pasqyrimi i Qëndresës Vlonjate - Into Albania

Muzeu Historik Arkeologjik i Vlorës – Pasqyrimi i Qëndresës Vlonjate

Në qendër të qytetit të Vlorës, qëndron një prej muzeve më të pasur me informacion e objekte me vlerë të lartë të historisë kombëtare.

Vlora është qyteti që të dhuron emocion në çdo stinë! Sidomos nëse jeni të apasionuar pas natyrës, kulturës dhe historisë, qyteti ku u ngrit flamuri i pavarësisë ju ofron plot aktivitete ku mund te shijoni nga pak (apo shumë!) nga të gjitha. Një prej vendeve ku mund të zbuloni historinë e qytetit dhe të Shqipërisë është Muzeu Historik Arkeologjik i Vlorës, i cili gjendet në qendër të qytetit.

Pamje nga Muzeu Historik,Vlorë. Foto nga IntoAlbania.

Arkitektura e veçantë

Muzeu Historik-Arkeologjik është një godinë e projektuar nga arkitektë Italianë dhe ndërtuar nga shqiptarë në vitin 1918. E konceptuar si “fjetore” për ushtarët Italianë, ajo nuk e kreu kurrë këtë funksion. Në kohën e komunizmit, kjo godinë njihet si Muzeu i Luftës. Me kalimin e viteve dhe me ardhjen e demokracisë, muzeut iu dha një tjetër përmbajtje, duke e ndarë atë në dy pavione. Pavioni i Arkeologjisë ndodhet në katin e parë ndërsa Pavioni i Historisë në katin e dytë të godinës.

Pavioni i Arkeologjisë, Muzeu Historik Vlorë. Foto nga IntoAlbania.

Pavioni i Arkeologjisë

Pozicioni gjeografik i favorshëm i Vlorës ka bërë që rrethinat e saj të kenë qenë të banuara që në kohët e hershme, gjë që dëshmohet nga gjurmët arkeologjike të shumta. Për qytetin e Vlorës gjurmët shfaqen që nga periudha e neolitit, me vendbanime të shumta. Në këtë pavion të muzeut do të gjëni vegla prej stralli (thika) si dhe armë prej bronxi e hekuri. Gjithashtu i pasur është edhe koleksioni i gurëve të varrit, të gjetur në rrethinat e Vlorës, të cilët janë të shkruar në gjuhë të ndryshme si edhe koleksione maketesh të monumenteve natyrorë dhe kulturorë të qytetit.

Muzeu Historik-Arkeologjik, Vlorë. Foto nga IntoAlbania.
Pavioni i Arkeologjisë, Muzeu Historik Vlorë. Foto nga IntoAlbania.
Pavioni i Arkeologjisë, Muzeu Historik Vlorë. Foto nga IntoAlbania.

Pavioni i Historisë

Ky pavion shpalos fakte historike të shek. të XX-të, duke filluar nga viti 1912 me ditën historike të shpalljes së Pavarësisë. (Për më shumë rreth kësaj periudhe, mund të vizitoni edhe Muzeun e Pavarësisë) Në këtë pavion, një hapësirë e konsiderueshme i jepet Luftës së Vlorës të vitit 1920, me postera e fotografi të shumta. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe këndi i Lëvizjes Demokratike të Qershorit të 1924-ës. Simboli i kësaj periudhe mbetet arkmorti origjinal i patriotit Avni Rustemi. Prej 37 vitesh ai qendron në këtë muze i mbuluar me po atë flamur që u ngrit në Vlorë për 50-vjetorin e Pavarësisë. Periudha e Luftës së II-të Botërore, përfaqësohet me objekte personale të partizanëve, armë, vegla muzikore të bandës ushtarake, piktura, e shumë element që kanë bërë historinë e Vlorës.

Pavioni i Historisë, Muzeu Historik Vlorë. Foto nga IntoAlbania.
Vegla Frymore të bandës muzikore, Muzeu Historik, Vlorë. Foto nga IntoAlbania.
    E martë - E premte 08:00-16:00 E shtunë-E dielë 09:00 – 14:00
    Rruga Perlat Rexhepi Get Directions
    1 orë e 30 minuta

Explore More