Muzeu Historik i Shkodrës - Into Albania

Muzeu Historik i Shkodrës

Aty ku bashkohen etnosi e kultura urbane

Shumë prej nesh e dinë se qyteti i Shkodrës është një nga qendrat kulturore më të çmuara të Shqipërisë, aty ku kanë lindur e janë frymëzuar shumë prej artistëve e poetëve shqiptarë. Le të themi se ky qytet është zhvilluar paksa ndryshe nga të tjerët. Shtëpia e Oso Kukës dëshmon këtë zhvillim ndër vite më qartazi se shumë të tjerë. Kjo shtëpi-muze e transporton vizitorin në fillim të shekullit të 20-të, atëherë kur qyteti verior i Shkodrës ende nuk kishte humbur shkëlqimin e tij si kryeqendra veriore e këmbimeve tregtare me perëndimin gjatë mesjetës. Fryma e një qendre të madhe të dikurshme ende ndihet në rrugët e shtëpitë e bukura të Shkodrës.

Në shtëpinë-muze të Oso Kukës

Shtëpia e Oso Kukës, Muzeu Historik i Shkodrës, foto nga IntoAlbania.

Muzeu Historik i Shkodrës

Banesa e patriotit të famshëm shqiptar Oso Kuka qëndron si Muze Historik që prej vitit 1947. Në hyrje të portës së madhe, nis udhëtimi nëpër histori, që prej neolitit, antikitetit, Luftës së Parë e të Dytë Botërore, deri në periudhën e Komunizmit në Shqipëri. Shtëpia përmban  një kompleks muzeor që rrallë herë e gjen në ndonjë qytet tjetër, me objekte e ambiente të cilat tregojnë mënyrën e jetesës në veri të Shqipërisë. Çdo mjedis i kësaj “shtëpie” të përfshin, ndoshta nga stili elegant i arredimit, por më tepër nga etnosi kulturor që këto mjedise shfaqin në mënyrë aq të natyrshme.

Foto nga IntoAlbania.

Thjesht qendrimi brenda kësaj shtëpie të tregon gjithçka mbi trevat veriore e jetën e fisnikëve shqiptarë, si jetonin burrat në raport me gratë, e si priteshin miqtë në dhomat e tyre të veçanta. Detajet e fillimit të shekullit të 20-të janë mëse të dukshme e reflektohen edhe në organizimin e banesës, ku në të njëjtat mjedise banorët fisnikë jetonin, punonin dhe ndanin gëzimet e ceremonitë familjare.

Foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Në shtëpinë-muze “Oso Kuke”, gjenden shumë objekte të cilat vijnë pothuaj nga të gjithë zonat gjeoetnografike të qytetit të Shkodrës, si Dukagjini, Malësia e Madhe, Zadrima, e Kraja. Në fakt, mënyra e jetesës së veriorëve shqiptarë ka ndikim të gjerë mbi më tepër se Shkodrën apo veriun e Shqipërisë. Ajo shkon deri buzë lumit Shkumbin dhe pothuajse prek edhe Shqipërinë e mesme. Ky muze deshmon këtë histori e ndikim të gjerë!

Pinakoteka

Në Muzeun Historik të Shkodrës ndodhet gjithashtu dhe një galeri prej mbi 100 veprash arti, ku shfaqen disa prej piktorëve më të njohur shkodranë, si Kol Idromeno, Simon Rrota, Kel Kodheli etj.

Foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Ndër pikturat më të njohura të pinakotekës veçohet “Dy rrugët” (1896), nga Kol Idromeno, ku duke vendosur përballë njëra tjetrës Parajsën dhe Ferrin, piktori krijon dy botë krejt të kundërta për nga vlerat dhe morali, të cilat përplasen në shoqërinë shkodrane të kohës. Kjo e fundit vihet nën akuzë nga Idromeno, i cili Ferrin duket sikur e mbush plot e përplot, tek sa të paktë janë ata që ngjiten deri në Portën e Shën Pjetrit.

“Dy rrugët”, Kol Idromeno. Foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Evente dhe ekspozita interesante zhvillohen rregullisht në këtë shtëpi të ngrohtë. Për këtë arsye, e shumë të tjera, ajo mbetet, ashtu si gjatë gjithë historisë së saj, një nga vendet e përzgjedhura nga ata më kuriozët e të apasionuarit pas jetës së vërtetë shqiptare.

    E Hënë-E Premte 9:00-15:00 E Shtunë - E Diel 9:00-13:00
    Rruga "Oso Kuka" 32, Shkodër Get Directions
    1.5 Orë

Explore More