Muzeu i Artit Oriental Bratko në Korçë - Into Albania

Muzeu i Artit Oriental Bratko në Korçë

Historia e shqiptarit që i dhuroi botën Shqipërisë

Nëse hyn thellë në historinë e çdo muzeu në botë, pa disuktim se aty do të gjesh diçka interesante, një ëndërr të trashëguar ndër breza e cila është kthyer në realitet në formën e muzeut. Edhe Muzeu i Artit Oriental Bratko ka historinë e tij, ndonëse kjo e fundit mund të jetë më e paparashikueshmja! I ngjason më tepër një tregimi ku ndërthuret jeta personale, lufta dhe arti, i cili shtrihet në tre kontinente. Ky bashkim i ngjarjeve e kulturave kaq të largëta e bën këtë muze unik në Ballkan!

Objektet brenda Muzeut

Në Muzeun Bratko ekspozohen rreth 450 objekte të cilët përfaqësojnë 17 kultura lindore të botës. Koleksioni përfshin veshje aziatike, shpatë e armë të ndryshme indoneziane, piktura e fotografi, e shumë kuriozitete të tjera të cilat, falë këtij muzeu, janë të prekshme. Ndoshta duket pak e çuditshme që pikërisht Korça, apo edhe Shqipëria, mban një muze të madh të artit aziatik! Këtu, çdo gjë sqarohet nga historia pothuajse legjendare e këtij muzeu. Kjo është historia personale e fotografit të famshëm shqiptar në Hollywood, Gjergj Dhimitër Mborjes, emri i të cilit qarkullonte në Tiranën komuniste për historinë e dashurisë me vajzën e mitur të mbretit japonez por edhe për fatin e njeriut që shoqëroi gjeneralët amerikanë në front gjatë luftërave botërore. Mborja kaloi 14 vjet (1942-1956) në Japoni si fotograf i Gjeneralit Douglas MacArthur por pasioni i tij për Azinë vazhdoi edhe pasi ai u kthye në Amerikë. Koleksioni i Muzeut Bratko, i mbledhur nga Evropa, Azia dhe Amerika, është dhuratë që Mborja la në testament për qytetin e tij të origjinës, Korçën. Në testament ai kërkoi që muzeu të mbante emrin e mamasë së tij, Viktoria Bratkos, e cila jetoi në Shqipëri edhe pas largimit të djalit të saj.

Arkitektura

I ndërtuar në 2003-in, në shëtitoren “F.S Noli”, godina e Muzeut Bratko, projektuar nga arkitekti Kliti Kallamata, përfaqëson tre kulturat e ndryshme që ai përmban, duke kombinuar stilin amerikan dhe japonez në një godinë të guximshme e cila qëndron në harmoni me Korçën. Vetë Mborja njihej për guximin e tij si fotograf i cili ishte po aq i përfshirë në frontin e luftës sa edhe në jetët e njerëzve të thjeshtë e në blerjen e sendeve si koleksionist i apasionuar. Në Muzeun Bratko, ndihet fryma e një njeriu i cili kërkoi të ndante pasurinë e përvojën e tij me vendlindjen, duke krijuar një koleksion po aq intim e privat sa edhe historik e botëror.

    E Martë & E Diel 9:00-13:00 E Mërkurë - E Shtunë 8:00- 13:00, 16:00-19:00
    Bulevardi "Fan Noli" 57, Korcë Get Directions
    1.5 orë

Explore More