Muzeu i Pavarësisë - Into Albania

Muzeu i Pavarësisë

Një shtëpi për Pavarësinë

Një shtëpi dykatëshe buzë detit në Vlorë modeste në arkitekturë, pa shumë finesa por e plotë në peshën e ngjarjeve që rrëfejnë historinë. Muzeu i Pavarësisë është vendi strategjik ku u ngrit flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare e u shpall Pavarësia e Shqipërisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Aty punoi qeveria e parë e shqiptarëve. Sot muzeu është i konsoliduar në përmbajtje dhe ofron një informacion të rrjedhshëm për ngjarjen kulmore të jetës së një shteti. Muzeu ka hapësirë të vogël të sistemuar në dy ndarje kryesore të lidhura nga dy korridore që bashkojnë katet e shtëpisë me njëri tjetrin.

Për çdo vizitor, çdo ditë të javës Muzeu ëshë një hapësirë mikpritëse që ndan me publikun objekte origjinale të kohës, dokumente të periudhës së Rilindjes dhe të Pavarësisë. Godina është  e sarajeve të Vlorajve, dhe aty u mblodhën në 1912 në kulmin e krizës ballkanike delegatët nga e gjithë Shqipëria. Nga oborri e deri në detajet më të vogla shtëpia është pasuruar me dokumente nga Arkivi Qendror duke ngjallur kuriozitet në rritje për të gjithë, brenda apo jashtë kufijve shtetërorë.

Buste të ministrave të qeverisë së parë janë vendosur në oborr bashkë me karrocën e riprodhuar sipas modelit origjinal të babait të Pavarësisë. Dorëshkrime që rrëfejnë vështirësitë në të cilat u shpall Pavarësia e vendit, sende të ministrave, një pjesë e mobilimit të zyrës së kryeministrit Ismail Qemali, karrikja, raftet e vogla të librave, flamuj origjinalë të betejave që shoqëruan shpalljen e aktit, dokumenti i fimrëmtarëve, foto që kanë fiksuar kontekstin e ngjarjeve të asaj kohe dhe tabllo ku në mënyrë idilike janë portretizuar njerëzit që lanë gjurmë në ato momente. Shtëpia ndodhet në afërsi të Portit të Vlorës dhe është lehtësisht e arritshme nga distanca të shkurtra, në qytetin më të madh bregdetar të Shqipërisë.

Shtëpia që mbushi shekullin e parë cilësohet dhe si i pari muze në Shqipëri para viteve ’90, pasi aty ndodhej fillimisht Muzeu Arkeologjik i cili u dëmtua gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Prill-Shtator, Çdo ditë 9:00 - 17:00 Tetor-Mars, E Martë - Shtunë 9:00 - 17:00, 10:00 - 14:00 (E Diel)
    Bulevardi Vlorë - Skelë Get Directions
    1 orë

Explore More