Muzeu i Shkencave - Eksplorimi i Natyrës Shqiptare - Into Albania

Muzeu i Shkencave – Eksplorimi i Natyrës Shqiptare

I pozicionuar vetëm pak kilometra nga qendra e Tiranës, Muzeu i Shkencave të Natyrës, i vetmi në llojin e tij në Shqipëri, ju ofron një rrugëtim të mahnitshëm në zbulimin e natyrës dhe të gjallesave.

Godina e Muzeut të Shkencave të Natyrës, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Pak nga fillimet

I themeluar në vitin 1948, si pjesë e Institutit të Shkencave, muzeu është një pasuri e trashëgimisë natyrore. Në vitin 2010, së bashku me Herbarin Kombëtar dhe Kopshtin Botanik, u bë pjesë e Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës të Fakultetit të Shkencave Natyrore. I ndarë në shtatë pavione, ju mund të njiheni nga afër me larmishmërinë e botës bimore dhe shtazore. Në saj të studimeve, ekspeditave, dhe koleksioneve të mbledhura, ky muze sot ka një fond prej 100 mijë lloje vendase, nga ku 3 mijë janë të ekspozuara. Pak kohë më parë ky muze ka marrë dhe emrin e Sabiha Kasimatit, e cila ishte dhe ideuesja e tij.

Pavion në Muzeun e Shkencave të Natyrës, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Mbi muzeun dhe pavionet e tij

Muzeu është vendosur në një godinë dy katëshe. Në hyrje të tij, kontaktin e parë do ta kini me skeletin e një balene. E kapur në vitin 1958 në detin Adriatik, balena kish ngecur në ujërat e cekta dhe, që prej atij viti, ajo është pjesë e muzeut. Në çdo cep të muzeut, do të njiheni me llojet e ndryshme të gjallesave të cilat rriten në territorin Shqiptar.  Por, ka dhe nga ato që janë në rrezik zhdukjeje apo të kërcënuara, siç është rasti i rrëqebullit.

Skeleti i balenës, Muzeu i Shkencave të Natyrës, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Që nga viti i krijimit e deri në ditët e sotme, Muzeu i Shkencave të Natyrës është qendër e rëndësishme shkencore e specializuar në fushën e vlerësimit të larmisë, të faunës shqiptare si: Insektet, Amfibët dhe Reptilët, Shpendët, Gjitarët, Molusqe, Krustace etj.

Pavionet më interesantë

Ne do të donim të veçonim një nga koleksionet më të bukura, atë të fluturave, një pjesë e të cilit ndodhet i ekspozuar në stendat e muzeut, por pjesa më e madhe e tyre ruhet në një dhomë të posaçme për qëllime kërkimore.

Fluturat, Muzeu i Shkencave të Natyrës, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Interesant për t’u vizituar është dhe pavioni i peshqve i cili përbëhet nga 157 lloje, që i përkasin 73 familjeve të ekspozuara në muze. Ndër më të veçantët konsiderohet peshku mbret i kapur në Rradhimë të Vlorës në vitin 2009. Për sa i përket pavionit të shpendëve, nuk mund të lëmë pa përmendur pelikanin kaçurel, shpendin më të madh në Europë që folenizon dhe riprodhohet në Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta.

Pelikani Kaçurrel, Muzeu i Shkencave të Natyrës, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Herbari Kombëtar

Një vlerë e çmuar e këtij muzeu është edhe Herbari Kombëtar, ku ruhet pasuria floristike e Shqipërisë. Herbari Kombëtar përfaqëson koleksionin e bimëve të vendit të thara e të sistemuara sipas kritereve të caktuara, që përdoret për qëllime studimi, dokumentimi dhe krahasimi. U ngrit më 1947 pranë sektorit shkencor të botanikës të Institutit të Shkencave dhe aktualisht, bashkë me muzeun, është pjesë e Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës. Ka një fond mjaft të pasur, me rreth 150.000 ekzemplarë, rezultat ky i një pune thuajse 70 vjeçare e botanistëve shqiptarë si edhe të huaj.

    E hënë - E premte 09:00 – 15:00
    Rruga Petro Nini Luarasi, Ndertesa 76-1, nr 2. Get Directions
    1 orë e 30 minuta

Explore More