Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi - Into Albania

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi

Moderniteti në Shqipëri filloi me artin e fotografisë

Thonë se një fotografi vlen sa 1000 fjalë. Atëherë, sa mund të vlejnë rreth 400,000 fotografi origjinale që pasqyrojnë jetën në Shqipëri nga viti 1850 e deri më sot?

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, tashmë në pedonalen kryesore të qytetit të Shkodrës, mban në arkivin e tij rreth  400,000 negativë në pllaka xhami, të organizuar në mënyrë të përkryer dhe të klasifikuar sipas vitit të shkrepjes dhe përmbajtjes së fotografisë. Në dy katet e muzeut do të mund të shihni edhe studiot e fotografit të famshëm, Pietro Marubit, dhe pasardhësve të tij. Ishte Pietro Marubi, azilanti politik italian, ai që hapi këtë godinë si studion e tij të re, ndoshta duke mos parashikuar qendrimin 150-vjeçar të këtij institucioni apo ndikimin e tij të gjerë në fushat e fotografisë, mjekësisë, arkitekturës, dhe kulturës të përgjithshme shqiptare. Pas vdekjes së tij, studion e trashëgoi nxënësi i tij shqiptar e më pas fëmijët e nxënësit, të cilët mbajtën të gjallë dinastinë e familjes Marubi.

40 vitet e karierës së Pietro Marubit ju dedikuan mijëra fotografive të ngjarjeve të rëndësishme si edhe jetës së përditshme shqiptare. Shumë prej tyre janë portrete të qytetarëve të thjeshtë, figurave të famshme si Edith Durham, si edhe kurtizaneve të asaj kohe, fotot e të cilave përmbajne elemente nude, duke krijuar kështu një koleksion jo vetëm interesant apo të bukur, por edhe avant-garde për kohën. Njeriu ishte subjekti kryesor i Marubit. Ai ndihmoi edhe mjekësinë e asaj kohe, duke fotografuar simptomat e sëmundjeve të ndryshme të cilat ishin ende të panjohura. Në muze sot gjejmë edhe urbanistika e planimetri të qyteteve ndër vite, peizazhe natyrore, shtëpi karakteristike të qytetit dhe fshatit, veshje tradicionale të zonave të ndryshme si dhe mijëra ushtarë e komandantë të luftës së I-rë dhe të II-të botërore.

Për të shijuar panoramën historike të 150 viteve të fundit si edhe koleksionin fotografik më të bukur shqiptar, planifikoni të kaloni disa orë brenda këtij muzeu!

    Prill - Shtator, Çdo Ditë 9:00 – 19:30 Tetor - Mars, E Martë - E Diel 9:00 - 14:00, 15:00 - 18:00
    Rruga "Kolë Idromeno", Shkodër Get Directions
    1 orë

Explore More