Muzeu Mezuraj - Into Albania

Muzeu Mezuraj

Koleksioni i parë privat i arteve pamore në Shqipëri

Nëse doni të vizitoni një muze arti, që është njëherësh dhe një galeri private, drejtohuni për tek Rruga e Kavajës, aty ku ndodhet Muzeu Mezuraj.

Muzeu Mezuraj lindi mbi 13 vite më parë nga vizioni i Eduard Mezuraj, i cili vendosi të krijonte muzeun e parë privat në Shqipëri, duke sjellë një erë të re për artet pamore në vend. Tashmë Muzeu Mezuraj është një nga hapësirat më unike të artit bashkëkohor e jo vetëm në Tiranë, me një fond të pasur prej mijëra veprash artistike.

Në 600 metra katrorë shfaqen realizime të piktorëve të spikatur shqiptarë, të cilat ju ftojnë në një rrugëtim tejet interesant ngjyrash, stilesh, e tematikash të ndryshme. E tek sa  fondi themelor i Muzeut Mezuraj përfshin emra si Kolë Idromeno, Simon Rrota, Gazmend Leka, Nestor Jonuzi, Hasan Nallbani etj, koleksionet më përfaqësuese janë ato të Artur Muharremit, Helidon Halitit si dhe Ismail Lulanit. Sipas kritikut të artit Sasha Grishin, muzeu “Mezuraj” “është një muze tërheqës me një koleksion veprash arti bashkëkohore si dhe objektesh antike shqiptare.”

Muzeu Mezuraj, foto nga IntoAlbania.

Artur Muharremi

Një nga emrat që dominon muzeun është ai i piktorit pogradecar Artur Muharremi, i cili që prej vitit 2005 bashkëpunon ekskluzivisht me muzeun. Vizitorët mund të njihen me punimet e tij të ciklit realist, ciklit metafizik, ciklit të kllounatës, njeriut manekin, kohës, apo edhe tematikave të tjera të preferuara si nudot.

Punimet e Artur Muharremit, foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Sipas studiuesit të njohur Moikom Zeqo, Muharremi përmes pikturës së tij ka “krijuar botën antropologjike të vizioneve dhe strukturave të veta mendore.” Zeqo vazhdon më tej duke e konsideruar Muharremin si “një artist të spikatur, që është në qendër të vëmendjes krahas me artistë të tjerë ambiciozë shqiptarë.” Bashkëpunimi mes Mezuraj dhe Muharremit shënoi dhe krijimin e partneritetit të parë mes një institucioni privat të liçensuar arti, si dhe një piktori profesionist. Për biografinë e Muharremit, apo për të shfletuar katalogun online të pikturave të tij, kliko këtu.

Helidon Haliti

Një tjetër emër mjaft i pranishëm në muze është ai i piktorit Haliti, i cili dallohet për tematikat e tij që marrin formën e ngjyrat nga trualli i traditave vendase por jo vetëm. Për rrjedhojë peizazhet, portretet, apo legjendat e përcjella në pikturat e tij, publikut vendas i ngjajnë jo pak familjare.

“Pranë liqenit”, Helidon Haliti. Muzeu Mezuraj, 2007.

Pikturat e Halitit përbëjnë një nga zërat më të rëndësishëm të Muzeut Mezuraj, dhe ato shfaqen gjithashtu dhe në koleksione të ndryshme private ndërkombëtare. Nëse doni të njiheni më tepër me punimet apo jetën e tij, mjafton të vizitoni faqen online të muzeut duke klikuar këtu.

Ismail Lulani

Muzeu mban gjithashtu një arkiv të mirë të veprave të njërit prej piktorëve më të shquar të shekullit të 20-të në Shqipëri, Ismail Lulanit. Lulani njihet për eksplorimin e gjinive të shumta të pikturës, përfshirë portretet, peizazhet, natyrat e qeta etj. Disa prej pikturave më të njohura të tij gjenden pikërisht këtu, si “Vajza e dallgëve”, “Portret vajze”, “Vullneti i Hënës” etj.

Emrat e traditës

Por ndërkohë muzeun përmban në fondin e tij dhe plot emra të shquar të traditës së pikturës shqiptare të fillimit të shekullit të 20-të si Kolë Idromeno, Simon Rrota etj.

“Portret” nga Kolë Idromeno, Muzeu Mezuraj.

Arkeologjia

Muzeu ka gjithashtu dhe një pavijon dedikuar zbulimeve arkeologjike. Në të do të gjeni objekte prehistorike, koleksione amforash e qeramike, koleksion veglash prej druri apo guri, armatime, enë prej bronxi, e dhjetëra objekte të tjera me interes.

Koleksioni i muzeut, foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

    E hënë - E shtunë 09:00 deri në 18:00
    Rruga e Kavajës Get Directions

Explore More