Në Zbulim të Kasharit, një Atraksion Natyror e Historik Pranë Tiranës - Into Albania

Në Zbulim të Kasharit, një Atraksion Natyror e Historik Pranë Tiranës

Nëse doni të prekni natyrën e liqenet, apo të shijoni piknikun larg zhurmës së kryeqytetit, Kashari është hapësira e përshtatshme. Kjo falë edhe liqeneve artificiale që shtrihen përreth tij, që ju krijojnë mundësinë të rrethoheni nga bukuritë natyrore të kësaj zone.

Liqeni i Kasharit. Foto nga IntoAlbania.

Vetëm 10 km larg Tiranës, zona e Kasharit po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një qendër të rëndësishme të zhvillimit ekonomik. Gjatë dekadave të fundit Komuna Kashar, ka pasur shumë ndryshime dhe gërshetimi i bukurive natyrore me zhvillimin urban e bëjnë këtë zonë tërheqëse për t’u vizituar.

Fshati Kus, Kashar. Foto nga IntoAlbania.

Zonë historike

Dëshmitë për ekzistencën e Kasharit janë të hershme. Por dokumentacioni i parë që flet për të, lidhet me betejën që ka zhvilluar Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në fushën e Limuthit në vitin 1456, kundër trupave osmane. Kashari sot është një zonë e mbrojtur arkeologjike, pasi në rrethinat e saj janë gjetur objekte të vjetra mbi 300 vjeçare, që dëshmojnë ekzistencën e një identiteti lokal. Në fshatin Kus në Kashar, do të gjeni rrënojat e kishës mesjetare e xhamisë mbi 300 vjeçare që mban emrin e fshatit, si dhe varrezat e lashta që ndodhen në fushën e Zaltës.

Atraksionet

Nëse më parë të ardhurat kryesore të zonës lidheshin me prodhimet bujqësore që furnizonin kryeqytetin, sot kjo zonë po zhvillohet gjithnjë e më tepër në aspektin turistik. Prania e katër liqeneve artificiale – Liqeni i Kasharit, i Gjokajt, Kusit dhe i Mëzezit – të pozicionuara pranë një relievi kodrinor, krijojnë një panoramë piktoreske dhe çlodhëse. Për ta shijuar sa më mirë këtë zonë, ju sugjerojmë të merrni biçikletat. Gjatë fundjavave, grupe të shumta e zgjedhin këtë zonë për piknik, ecje në natyrë apo edhe pedalim.

Liqeni Gjokaj, Kashar. Foto nga IntoAlbania.

Liqeni i Kasharit. Foto nga IntoAlbania.

Liqeni i Kusit, Kashar. Foto nga IntoAlbania.

Liqeni i Kusit, Kashar. Foto nga IntoAlbania.

Gatimet tradicionale

Përveç natyrës dhe liqeneve, restorantet rreth zonës shërbejnë gatime tradicionale. Kjo zonë njihet për tavën e dheut, fërgesën, japrakët (me mish) si edhe për specialitetin e veçantë të pashaqoftes. Në ambjentet e ngrohta dhe familjare, përveç ushqimeve bio, do të kënaqeni edhe nga mikpritja e vendasve.

Tavë dheu. Burimi; AgroWeb

Fërgesë. Burimi: AgroWeb

Japrak me mish. Burimi; AgroWeb

Veshjet Tradicionale

Zona e Kasharit njihet për ruajtjen dhe kultivimin e veshjeve tradicionale karakteristike të zonës së Shqipërisë së Mesme. Që në kohët e hershme, zona e Kasharit ka qenë e njohur për prodhimin e veshjeve të zonës me mjetet artizanale. Kjo traditë e vyer është ruajtur dhe në ditët e sotme nga stilistja Edlira Sulaj, e cila ende përdor mënyrën artizanale të qëndisjes. Nëse keni dëshirë t’i shihni kostumet nga afër, Muzeu Artizanal “Tradita Popullore,” i cili ndodhet brenda qendrës tregtare Casa Italia, ka një koleksion prej 400 modelesh.

Muzeu Artizanal, Tradita Popullore, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Muzeu Artizanal, Tradita Popullore, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Muzeu Artizanal, Tradita Popullore, Tiranë. Foto nga IntoAlbania.

Explore More