Onufri, vështrim mbi ikonografin e madh - Into Albania

Onufri, vështrim mbi ikonografin e madh

Arti shqiptar ka rrënjë të hershme si dëshmi e qytetërimeve të zhvilluara në vendin ballkanik. Shqipëria nuk ka qenë e shkëputur nga kohët dhe historia e artit por në çdo etapë ka buruar artistë që kanë lënë gjurmët e tyre në trashëgimi. I tillë është Onufri dhe gjithë shkolla e tij që solli një brez të tërë artistësh me dimensione të padiskutueshme vlerash.

Emri i tij është i lidhur me Beratin dhe Elbasanin qendra ku ai zhvilloi artin e ikonografisë të pasur me ngjyra, domethënie kulti e njerëzore, por studimet nxjerrin në pah se punët e tij në ikona dhe afreske dalin përtej kufijve si në Maqedoni apo Greqinë fqinje.

Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri”

Emri i tij nderon Muzeun Kombëtar Ikonografik në qytetin e Beratit brenda Katedrales “Fjetja e Shën Mërisë”. Kisha në brendësi të lagjes muzeale është një objekt i stilit Bizantin ku shquhet ikonostasi i drurit të larë me ar, rrethuar nga objekte të tjera të mrekullueshme të artit mesjetar. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë shqiptarë që u përkasin shekujve XVI deri në shekullin e XX. Veprat e artit post bizantin që lindi nga Onufri i madh, u pasuan nga nxënësit e tij. Kompozimet ikonografike të Onufrit dallojnë për harmoninë e ngjyrave që studiuesit thonë se solli revolucion në stil. 

Onufri Museum

Muzeu Onufri, Berat. Foto nga IntoAlbania.

Stili

Subjektet në veprat e tij përfshinë finesën në portret ku dallon aftësia për të kumtuar të kuqen, si një ngjyrë që dallon punën e tij. Skenat e ndërtuara me finesë në tablotë e tij dëshmojnë për një aftësi gjeniale artistike që frymëzoi kërkime të shumta për ta zbuluar. Fatmiresisht në ditët tona kanë mundur të jëtojnë ikona të Onufrit, koleksione që datojnë në fundin e rilindjes evropiane.

Ku ta gjejmë tjetër

Përveç Beratit kërkimet e shfaqin artin e Onufrit edhe në Kishën e Shelcanit në rrethinat e Gjinarit në Elbasan. Aty gjendet një nga afresket e dëmtuar shumë nga koha e largët kur u kompozua. Onufrin e gjeni edhe në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, në pavijonin e Ikonave postbizantine. Aty është ekspozuar në një skenografi ku dominon e kuqja e Onufrit “Hyrja e Shën Marisë në Tempull” vepër e ikonografit më të shquar shqiptar. Në sallën e Tiranës ndodhen edhe disa vepra të tjera që u përkasin autorëve që mësuan dhe u rritën aritsitikisht nga shkolla e Beratit, siç quhej shkolla e themeluar nga vetë Onufri.

Explore More