Pallati i Brigadave - Into Albania

Pallati i Brigadave

Pallati i Brigadave, aty ku kanë qëndruar plot figura të larta të shtetit shqiptar, është tashmë i hapur dhe për publikun. Pallati i Brigadave është monument prioritar në trashëgiminë kombëtare, me arkitekturë sa të thjeshtë në dukje, aq edhe tërheqëse. Parku është i hapur për publikun çdo fundjavë, nga ora 09:00-16:00 në muajt tetor-prill dhe nga ora 09:00-20:00 në muajt maj-shtator.

Vendndodhja

Parku i Pallatit të Brigadave ndodhet përballë kodrës së Varrezave Monumentale të Dëshmorëve të Atdheut, në rrugën kombëtare që të çon drejt Elbasanit. Pallati nuk duket nga rruga kryesore, por është konceptuar të qëndrojë i fshehur pas qiparisave të lartë e jetëgjatë. I vetmi monument që është konceptuar të shihet që në hyrje është “Panteoni”, një strukturë gjysëmrrethore, ku ndodhen bustet e disa prej figurave më të shquara të kombit, si Jeronim De Rada, Pashko Vasa, Kostandin Kristoforidhi, dhe Bajram Curri.

Hyrja e Pallatit të Brigadave, me odeonin e Odhise Paskalit. Foto nga IntoAlbania.

Historia dhe arkitektura

Projekti fillestar u realizua nga arkitekti italian Julio Berte’, dhe ndërtimi zgjati nga viti 1936 deri në vitin 1941. Kompleksi u porosit si rezidencë mbretërore nga Mbreti Zog. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia në vitin 1939 dhe largimit të vetë mbretit, projekti fillestar ndryshoi. Ndërtimi vazhdoi nën kujdesin e arkitektit tjetër italian Gherardio Bosio i cili i dha tjetër frymë arkitekturës së pallatit. Nëse përpara Bosios stili ishte “deko i vonë”, falë tij u kalua tek “racionalizmi monumental”, duke bërë që Pallati i Brigadave të jetë i vetmi pallat mbretëror në botë me këtë qasje arkitektonike.  Pallati dhe parku i tij u inauguruan në maj të vitit 1941 gjatë vizitës në Shqipëri të mbretit Viktor Emanueli III.

Shatërvani dhe grupi skulpturor “Pjelloria” i Odhise Paskalit. Foto nga IntoAlbania.

Parku ka një sipërfaqe prej 74 hektarësh; i gjelbëruar në mënyrë konceptuale sipas projektuesve më të njohur evropianë të shekullit të kaluar. Mbjelljet më masive janë bërë midis viteve 1937-1945, çfarë i jep parkut vlera e një monumenti natyror gjithashtu.

Hyrja kryesore e Pallatit, foto nga IntoAlbania.

Një nga ndërtimet plotësuese është dhe kishëza e ndërtuar për mbretëreshën Geraldinë.

Kishëz e vogël ndërtuar për Mbretëreshën Geraldinë. Foto nga IntoAlbania.

Statujat janë pjesë e grupit skulpturor të quajtur “Alegoria e Muzikës” nga Antonio Maraini. Foto nga IntoAlbania.

Kopshtet mbretërore

Kopshtet janë integruar mes objekteve që janë destinacione të shkëlqyera për t’u vizituar gjithashtu. Një kishëz, shatërvane, statuja bronxi të arrira, sera të vogla, bimësi fantastike dekoruese, rrugicëza të asfaltuara që ju zbulojnë pamje mbresëlënëse. Mund të uleni në lëndinat e vogla ose në stolat e gurtë që ndodhen në shëtitoren kryesore të kompleksit. Në total janë rreth 70 lloje pemësh, me një moshë që arrin deri 70 vjeç.

Figura e “Dafinës”, skulpturë në bronz e Marainit. foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Pallati ka ruajtur që nga dita e inaugurimit formën që ka sot dhe fatmirësisht i shpëtoi Luftës së Dytë Botërore. Prej vitit 1990, Pallati ka shërbyer dhe si rezidencë e disa prej presidentëve të Shqipërisë.

    Fundjavave 09:00 to 16:00 (tetor- prill) and 09:00 to 20:00 (maj- shtator)
    Rruga e Elbasanit , Tirana Get Directions

Explore More