Parku Arkeologjik i Bylisit - Into Albania

Parku Arkeologjik i Bylisit

Antikiteti vjen me një shije tjetër

Shumë pranë qytetit të Fierit, apo Ballshit, ndodhet një tjetër park arkeologjik tejet i rëndësishëm e i njohur në vendin tonë, ai i qytetit më të madh në Ilirinë e jugut, Bylisit. Nga shekulli i IV para Krishtit (që konsiderohet dhe periudha e themelimit) e deri një shekull më vonë, u ndërtuan disa prej veprave më madhështore të qytetit, ku përmenden teatri, stadiumi, depozita e ujit, gjimnazi, dy shëtitore, banesa të ndryshe, rrënojat e të cilave mund t’i hasim edhe sot.

Parku Arkeologjik i Bylisit, Fier, Burimi: Web Library

Bylisi i vjetër ishte i ndarë në tre zona, dhe u ndërtua ne baze te planit arkitektonik te Hipodamnit.  Nga ai shkëlqim i së shkuarës, spikasin rrënojat e teatrit 7500 vendësh, të cilat të mundësojnë një udhëtim të bukur në historinë dhe arkitekturën e qytetit. Teatri përbëhej nga 40 shkallare, dhe sot mund të shikohen ende disa ndenjëse prej guri, muret mbajtëse të teatrit apo bazamenti i orkestrës.

Edhe nga Stadiumi i Bylisit mund të vërejmë 19 shkallë prej guri, që e bëjnë pas Amantias stadiumin e dytë më të mirëmbajtur nga antikiteti në Shqipëri. Krahas objekteve të rëndësishme publike, qyteti kishte punishtet e veta të poçarisë, ndërtimit, skulpturës, metalpunuesit si dhe punishten e prerjes së monedhave të veta. Gjatë shekullit të V pas Krishtit nisën të ndërtoheshin disa kisha, rrënojat e të cilave sot përbëjnë disa nga dëshmitë më të rëndësishme paleokristiane në Shqipëri. Deri më sot janë zbuluar 5 të tilla, si brenda mureve rrethuese të qytetit, ashtu edhe jashtë tyre.

Byllis Archaeological Park

Parku Arkeologjik i Bylisit, Fier, Burimi: vato.al

Pozita mbizotëruese mbi kodrat e Mallakastrës, peizazhet e lumit Vjosa dhe gjelbërimi që rrethon Parkun Arkeologjik të Bylisit, bëjnë që ky destinacion të ofrojë një rrugëtim të rrallë në të shkuarën e vendit. Jo më kot, në një nga epigramet e zbuluar në atë zonë shkruhej “O i huaj, mos e shmang vështrimin nga bukuria e Bylisit.”

Për hartën kliko këtu.

    Prill-Shtator, Çdo ditë 9:00 - 18:00 Tetor-Mars 09:00 – 16:00
    Hekal, Mallakastër Get Directions
    2 Orë

Explore More