Mali i Dajtit: Ngjyrat e jetës jashtë qytetit - Into Albania

Mali i Dajtit: Ngjyrat e jetës jashtë qytetit

Ndërsa jeni në Tiranën e bukur dhe të zhurmshme, ka shumë mundësi të gjeni veten në kërkim të natyrës së thjeshtë. Besoj se e dini se jeni me fat, pasi fare pranë ndodhet Mali i Dajtit! Kjo ikonë e qytetit e zbukuron peizazhin e qytetit ashtu si një kornizë zbukuron një pikturë, dhe ndodhet vetëm 15 minuta larg (përmes teleferikut). Ngjitja të shton rrahjet e zemrës, më shumë nga bukuria sesa nga lartësia e saj. Mbërritja është një zhytje e natyrshme në shumëllojshmërinë e ngjyrave, të cilat ushqejnë syrin, shplodhin mendjen e pasurojnë shpirtin. Duket vërtet e pabesueshme që kjo qetësi e harmoni të jetë kaq afër.

Dajti Express

Duke mbuluar një sipërfaqe prej rreth 30.000 hektarëve, Dajti Express ofron rrugën më të shkurtër drejt përjetimit të natyrës në gjithë madhështinë e saj. Peizazhet pyjore të ahut, dushkut, gështenjave, qershive, frashërit, pishave të zeza, të ftojnë të shkëputesh tërësisht nga jeta urbane e Tiranës për t’u bërë një zgjatim i natyrës. Në zbritje të teleferikut, një fushë me livadhe e rrethuar nga pyje ahu të pret me dashuri në tarracën e Dajtit.

Për ata që kërkojnë më shumë argëtim, në Dajt nuk mungojnë shëtitjet me kal, baret e restorantet panoramike aty pranë, apo dhe një Park Aventurash i cili, ndonëse i hapur pak muaj më parë, është bërë pikë referimi për familjet më fëmijë.

Panoramat tek Mali i Dajtit

E nëse në fundjavë Dajti duket përherë si në festë, gjatë ditëve të javës është akoma më sugjestiv. Me qytetin e Tiranës që përhumbet së largu, duket sikur bashkë me të largohen edhe streset e jetës moderne, e ajo çfarë mbetet je veç ti, natyra, e qetësia perfekte të cilën guxon ta prishi veç ndonjë qukapik apo ndonjë shpend tjetër. Në perëndim vjen radha për të shijuar ngjyrat e qiellit që në mbi 1000 metër lartësi ofrojnë një spektakël të mahnitshëm, duke u shoqëruar dhe nga një pafundësi dritash vezëlluese të Tiranës që sikur të kujtojnë filmin ‘La La Land’. Nëse vendosni edhe muzikën e filmit në sfond, do të nisni edhe ju të vallëzoni ashtu si Gosling dhe Stone.

Nëse keni dëshirë ta bëni rrugën me këmbë, këtu gjeni hartën e rrugës  të cilën mund ta përdorni si guide. Për më shumë informacione mbi teleferikun dhe organizimin e udhëtimit, klikoni në faqen zyrtare të Dajti Express.

Explore More