Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë - Into Albania

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Thuajse i panjohur, i paprekur, dhe spektakolar

Në listën e parqeve të shumta natyrorë të vendit, Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë afër qytetit të Librazhdit ende nuk është mjaftueshëm i njohur. Një nga shkaqet kryesore lidhet me faktin se ky park ka qenë një zonë e ndaluar kufitare përgjatë gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Ishte pikërisht kjo mbyllje, që sot përbën dhe një nga asetet më të mëdha të tij, pasi rreth 34 mijë ha sipërfaqe plot me pyje, livadhe e lule shumëngjyrëshe, janë tejet të paprekura e mund të shijohen nga kushdo.

Pasuri botërore e UNESCO

Arsyet përse ja vlen të vizitoni këtë park janë vërtet të shumta. Le të fillojmë me zonën e Rrajcës, një nga vendet natyrore të Shqipërisë të konsideruara pasuri natyrore botërore e UNESCO-s, është një thesar jo vetëm i Parkut Shebenik-Jabllanicë apo Shqipërisë, por shumë më tepër se kaq. Pyjet e larta të ahut të Rrajcës bëjnë pjesë në brezin e gjelbërt të pyjeve të ahut në Evropë, dhe vlerat universale të saj i japin tashmë një status të veçantë.

Majat e larta

Pjesë e parkut janë Mali i Shebenikut (2,253 metra), Mali i Kallkanit (2189 metra), Maja e Katrafilit (1,760 metra), e plot maja të tjera tek të cilat mund të realizohen ngjitje të organizuara. 14 liqenet akullnajore dhe 3 liqenet artificiale i japin një dekor akomë më të bukur parkut, tek sa nuk mungojnë burimet e shumta ujore dhe lojërat me ngjyrat që krijohen nga natyra fantastike.

Flora, fauna dhe shpellat e eremitëve

Rreth 32% e florës së Shqipërisë mund të haset në këtë park, dhe shtigjet e shumta të krijuara së fundmi nga ekspertë të aktiviteteve turistike e bëjnë eksplorimin e tij mjaft të thjeshtë e të pëlqyeshëm. Ndër sitet e tjera të vizitueshme janë dhe shpellat e eremitëve, të cilat janë të shpërndara në zona të ndryshme të parkut, ku vlen të përmendet Shpella e Koshorishtit. Në këto shpella mund të vërehen ende pikturat murale me motive kryesisht biblike të bëra përgjatë shekujve.

Nëse jeni të interesuar të dini më shumë informacion, të ndiqni një nga turet e ofruara apo të krijoni dhe turin tuaj përkatës, mund të kontaktoni me faqen e facebook të Shebenik-Jabllanice Outdoor Adventure.

    Librazhd-Steblevë, Librazhd-Dorezi Get Directions

Explore More