Parku Kombëtar Theth - Into Albania

Parku Kombëtar Theth

Hapësirat e pafundme brenda një kartoline madhështore

“Parajsa është këtu, miku im i mirë. Zot, mos më jep tjetër parajsë.” Ky pasazh, i shkëputur nga një libër i Kazantzakis, të kujtohet tek sa je në Parkun Kombëtar të Thethit, një prej destinacioneve më mahnitëse të turizmit shqiptar.  I vendosur mes majave të thepisura e i veshur nga një natyrë, e cila për këtë zonë ka rezervuar bukuritë më të mëdha, Thethi mund të duket si kartolinë, por është mëse i vërtetë.

Dy janë itineraret që ndjekin turistët për të shkuar në Theth. I pari është përmes Shkodrës me makinë, ndërsa i dyti është shumë më emocionues e njëherazi më impenjativ, duke ngjitur me këmbë Qafën e Valbonës. Ky rrugëtim që zgjat përreth 6-7 orë, është pa frikë një udhëtim i rrallë sa në lartësitë e maleve, aq edhe në thellësitë e shpirtit.

Parku ndodhet në qendër të Alpeve të Shqipërisë, rrethuar nga Jezerca madhështore dhe majat e tjera imponuese të Bjeshkëve të Nemuna, aty ku njëherë e një kohë banonin zanat dhe orët, e jetonin krijesa mitike krenare. Mespërmes parkut rrjedh Lumi i Shalës, që bashkohet përgjatë rrugës me të tjerë përrenj duke dhuruar peizazhe spektakolare. Ndër monumentet natyrorë më mbresëlënës është Ujëvara e Grunasit (Thethit), që nga 30 metra lartësi bie nga shpatet plot vrull e magji. Pranë ujëvarës ndodhet Kanioni i thepisur i Grunasit, që falë ngushtësisë dhe ujit të kristaltë që kalon mes tij përgjatë 1 kilometri, krijon një atmosferë tejet intime. Sapo kaloni Kanionin, do ju duhet të ecni rreth 30-40 minuta për të duke shkuar në fshatin Ndërlys, aty ku gjenden Vaskat e Gurit, disa formacione spektakolare shkëmbore të krijuara nga prurjet e Lumit të Zi. Të shumtë janë turistët që gjatë verës pushojnë pranë këtyre gurëve të latuar në formë vaskash së bashku me ujëvarën e bukur që rrjedh mes tyre.

Lumi i Zi duke zbritur nga fshati Kaprre, krijon një tjetër destinacion që të lë pa fjalë: Syrin e Kaltër. Kjo pishinë e madhe e kaltër është e zhytur në gjelbërim, dhe nga shpatet e maleve gjendet një grykëderdhje elegante që krijon vërtet një ambjent përrallor. Kulla e braktisur që gjendet mbi Syrin e Kaltër, duket e vendosur enkas aty për ta bërë akoma më tërheqëse të gjithë panoramën. Falë vendpushimeve, turistët mund të pushojnë e të shijojnë ushqimet karakteristike të zonës. Mishi i pjekur i qingjit, buka e ngrohtë e shoqëruar nga produktet e freskëta të bulmetit, vijnë të përgatitura në mënyrë mjeshtërore nga zonjat e shtëpive. Bujtinat apo Hotelet prej guri ofrojnë të gjithë ngrohtësinë dhe mikëpritjen e njohur malësore, që e bën largimin nga ky vend gati të pamundur.

Të tjera destinacione tek të cilat mund të ndaleni janë Kisha e Thethit, Kulla e Ngujimit, Shpella e Thethit, Ujëvara e Gjeçajt, Liqeni i Qafës së Pejës apo të eksploroni më tutje majat e shumta që lartohen ngado. Ismail Kadare ja kushton poemën e tij “Bjeshkëve të Nemuna” këtij vendi si edhe Shqipërisë që brenda saj mban këto mrekulli:

“Frengji të ngushta,
Sikur kanë picërruar sytë nga kjo hapësirë pambarim.
Përse me sy kaq të vegjël e shikoje vallë,
Botën e madhe, o vendi im?”

Tashmë thethianët me buzën në gaz përgjigjen se është bota e madhe ajo që zgjedh përvit të vijë këtu. Eja edhe ti!

Rruga për t’u ndjekur:
Shkoder-Koplik-Bogë-Theth. Rruga përmes Bogës, që është e asfaltuar dhe shkon 2.5 orë nga Shkodra.
Shkoder-Mes-Prekal-Kir-Shosh-Breg Lumi-Theth.  Rruga nga Prekal nuk ka asfalt ndaj kërkon një makinë 4X4 e më tepër kohë.

Ku të qëndroni: Për më shumë informacione mbi bujtinat apo vendet ku mund të pushoni, kliko këtu.

    Rruga Shkodër - Koplik - Bogë - Theth Get Directions

Explore More