Piramida e Tiranës - Into Albania

Piramida e Tiranës

Pasqyra Kulturore dhe Historike e Kryeqytetit

Piramida e Tiranës është padyshim simbol si edhe pikë referimi e kryeqytetit, një relike e një të shkuare të trazuar dhe një të ardhmjeje të pasigurtë por gjithsesi shpresëdhënëse. Megjithëse është përshkruar në mënyra nga më të ndryshmet e ekstremet, si “madhështore”, “e shëmtuar” apo “e çuditshme”, ajo çka simbolizon Piramida për qytetin e Tiranës nuk është dyshuar kurrë. Ajo mbetet objekti arkitektonik Shqiptar për të cilin është shkruar më gjerësisht: historia e saj kontroverse është diskutuar nga media ndërkombëtare, shumë gazeta, dokumentare, e portale të tjerë.

Piramida e Tiranës

Piramida, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Megjithëse në vitet pas komunizmit, u vendos që Piramida të shkatërrohej, ajo ende qëndron, ndonëse e degraduar, në qendër të bulevardit kryesor të qytetit. Ndoshta arsyeja kryesore për qëndrueshmërinë e saj është se ajo është dëshmitare e viteve më të trazuara të historisë së Shqipërisë dhe, si e tillë, mbetet një monument kulturor, zhdukja e të cilit do të ishte një humbje me shumë sesa fitore.

Piramida dhe Këmbana e Paqes

Piramida dhe Këmbana e Paqes, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Aktualisht, Piramida, në brendësinë e saj të rrënuar dhe eksteriorin e saj disi të rinovuar, shërben si një hapësirë ​​ industriale ideale për ekspozita të artit modern si edhe koncerte. Megjithëse fillimisht e menduar si muze, ndërtimi nuk është aspak në stilin e një “monumenti të rëndë.” Ashtu si ka treguar edhe historia, piramida ka mbetur, në një farë mënyre, në kohë. Nga ana arkitektonike, Piramida përfaqëson përpjekjen e parë të suksesshme të një projektimi dhe ndërtimi modern në vend. Piramida u krijua nga ekipi i katër arkitektëve shqiptarë (përfshirë vajzën dhe dhëndrin e Enver Hoxhës, Pranvera Hoxha dhe Klement Kolaneci, Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu) ne një stil i cili ishte para kohe për periudhën e ndërtimit të saj.

Piramida e Tiranës

Piramida, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Nga planifikimi në ndërtim, projekti u përfundua në një kohë rekord prej vetëm 3 vjetësh. Për ta bërë këtë monument sa më të bukur, arkitektët bënë diçka që në kohën e regjimit të rreptë të Enver Hoxhës, do të kishte qenë e pamundur, duke përdorur materiale “kapitaliste” të importuara nga Shtetet e Bashkuara. Ky material u përdor për të ngjitur pllakat e mermerta të fasadës, të cilat tashmë, fatkeqësisht, nuk janë më pjesë e saj. Në fillim, brendësia e piramidës ishte luksoze dhe funksionale. Katet e brendshme të ndërtesës u dizenjuan si mezzanina në nivele të ndryshme, duke krijuar një pamje amfiteatri. Fillimisht, në majë Piramida kishte edhe formën e një ylli të kuq, simboli komunist, i cili më vonë u hoq. Imazhet e mëposhtme, të marra nga koleksioni privat i arkitektëve të Piramidës, e tregojnë atë në gjendjen e saj origjinale.

Piramida në gjendjen e saj origjinale (pamje nga lart).

Ndoshta fakti më interesant mbi Piramidën, dhe ai që shumica e njerëzve nuk dinë, është se “piramida” është në fakt një emërtim i gabuar, pasi ndërtimi, kur shihet me kujdes, zbulon një dizajn më të ndërlikuar, me shumë fasada të papritura nga këndvështrime të ndryshme. Forma e piramidës ekziston vetëm në pjesën e përparme, ndërsa pjesa e prapme është vertikale, ndërkohë që pamja ajrore zbulon një version abstrakt të shqiponjës dykrenare.  Piramida frontale u krijua për t’u përshtatur sa më mirë me panoramën malore të Dajtit në sfondin e largët. Nga të gjitha anët, Piramida duhet të mbetej në harmoni me ndërtesat përreth, duke përfshirë Hotel Dajtin dhe Kryeministrinë. Në tërësi, pavarësisht godinave të shtuara gjatë kohës se demokracisë të cilat kanë ndikimin e tyre në vijën e horizontit të qytetit, Piramida e ka arritur këtë qëllim.

Piramida e Tiranës

Piramida, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Piramida fillimisht u ideua si muze për Enver Hoxhën, udhëheqësin komunist të Shqipërisë gjatë periudhës 1944-1985. Ajo u hap në vitin 1988, pikërisht tre vjet pas vdekjes së tij. Pak vite pas kësaj, në 1992, regjimit komunist i erdhi fundi dhe, bashkë me të, Piramida pa ndryshime radikale në rolin dhe funksionin e saj në qytetin e Tiranës. Ndërtesa dikur e bukur e mermerit të bardhë dhe sipërfaqeve pasqyruese u bë ndër vite pasqyrë e gjendjes së qytetit, dhe ndoshta të gjithë vendit dhe zonës përreth. Shkallët dhe zona me gjelbërim e Piramidës, të cilat një herë ë një kohë përdoreshin nga rinia për të pushuar gjatë xhiros së famshme përgjatë bulevardit, nuk panë më të njëjtat aktivitete. Në vitin 1991, ndërtesa u bë qendër për konferenca ndërsa në 1999-ën, Piramida u kthye në një qendër humanitare kur NATO vendosi selinë gjatë luftës në Kosovë. Në vitin 2001, Top Channel vendosi gjithashtu selinë e tij të përkohshme atje.

Piramida e Tiranës

Piramida, Tiranë, foto nga IntoAlbania

Piramida ka patur klube nate dhe kafene brenda saj e ka parë protesta të panumërta, mitingje si edhe, për njëzet vitet e fundit, adoleshentë të cilët ngjiten në majë dhe rrëshkasin mbi muret e saj. Në vitin 2011, u morr vendimi që Piramida të shkatërrohej por ky vendim pati kundërshtim të fortë nga komunitete të ndryshme të cilët menduan se e ardhmja nuk mund të ndërtohet duke u fshirë e kaluara. E kështu, Piramida vazhdon të qendrojë e të mbajë vendin e saj të rëndësishëm në qytet. Sot, një melankoli e veçantë e rrethon këtë monument, mbetja e shkatërruar e një perandorie që nuk ishte kurrë. Njerëzit ecin përgjatë historisë së vendit duke kaluar para, anash apo prapa Piramidës gjatë rrugës së tyre drejt punës apo shtëpisë. Edhe ata e dinë se kjo strukturë nuk mund të shpërfillet. Edhe ju, kur një ditë të gjendeni para saj, ndaloni dhe shikoni se si duket pasqyra e një vendi.

 

    Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tirana Get Directions

Explore More