Plazhi i Gjirit të Lalzit - Into Albania

Plazhi i Gjirit të Lalzit

Relaksi perfekt në stinën e verës

30 km në veri të Durrësit, pas pemëve të larta dhe këngës së gjinkallave fshihet Plazhi i Gjirit të Lalzit, një nga plazhet me standardet më të larta të gjithë bregdetit Adriatik në Shqipëri. Plazhi që shtrihet nga Shën Pjetri deri në drejtim të Hamalles dhe Rrushkullit, ofron një det fantastik dhe rërë të artë, me një peizazh ku brezi i pemëve fsheh bukur të gjitha ndërtimet e tjera.

Ndërtimi i disa rezidencave luksoze apo resorteve aty pranë ka bërë që të garantohen të gjitha shërbimet cilësore për të cilat një plazh ka nevojë. Baret dhe restorantet cilësore popullohen përgjatë gjithë vitit, ndërkohë që të shumtë janë ata që anës detit zgjedhin të luajnë volejboll, beach volley, apo të praktikojnë sporte të tjera falë dhe faciliteteve të krijuara.

Vitet e fundit në stinën e verës ka nisur dhe një praktikë shumë e përhapur mes të rinjve të Tiranës, që edhe gjatë ditëve të javes me të mbyllur punën, marrin makinën e nisen drejt këtij plazhi. Jo të paktë janë dhe ata që ndjekin një itinerar me biçikletë për të shkuar aty, në mënyrë që të shijojnë maksimalisht dhe rrugën e këndshme që të shpie në Gjirin e Lalzit. Në ditët e gjata të verës ngrohtësia e ujit dhe ngjyrat spektakolare të perëndimit, të ftojnë të rrish deri vonë në atë atmosferë feste mesdhetare.

Në kthim, ndalesa në dyqanet e shumta të akulloreve është kthyer në një ritual të pashmangshëm për të gjithë ata që  duan të freskohen plot shije. Tek sa largohesh nga plazhi, muzgu që bie mbi kodrat e gjelbërta përreth dhe aroma e këndshme që ndihet ngado, të bën të thurrësh shpejt planin e radhës se kur do e vizitosh sërish këtë vend.

Distanca me makinë nga Tirana:

50 minuta. Për të lexuar mbi plazhet e tjera të Durrësit lexo artikullin tonë të zgjeruar duke klikuar këtu.

 

    Gjiri i Lalzit, 30 km në veri të Durrësit Get Directions

Explore More