Plazhi i Velipojës - Një Ndër Perlat e Adriatikut e Pasur me Kontraste Natyrore - Into Albania

Plazhi i Velipojës – Një Ndër Perlat e Adriatikut e Pasur me Kontraste Natyrore

Plazhi i Velipojës është një zonë turistike mjaft e këndshme, me bukuritë dhe kontrastet natyrore që e bëjnë unike. I njohur për rërën e pastër me veti kuruese dhe ditët e ngrohta, plazhi i Velipojës është vendpushimi i duhur për ata që duan të shijojnë plotësisht diellin dhe detin. Me një peizazh të larmishëm, ku ndërthuret me hijeshi deti, rëra, lumi, kodra, pylli, laguna e fusha, plazhi i Velipojës është gjithçka që mund të kërkoni.

Plazhi shtrihet në gjatësi rreth 14 kilometërshe, prej grykëderdhjes së Bunës e arrin deri tek zona e quajtur “Rana e Hedhun”, në afërsi të Shëngjinit. Ajo që të tërheq vëmendjen në këtë plazh, përveç detit shumë të pastër, ajrit me oksigjen kurativ, është edhe rëra e imët e errët e pasur me jod, si një nga përbërësit shërues të kësaj rëre.
Për të kuptuar arsyen e kësaj ngjyre, që ka lidhje me përqëndrimin e pazakontë të jodit, duhet pasur parasysh se pjesa më e madhe e buzëdetit të Velipojës, ishte para viteve ’90, një zonë e egër dhe që ruhej si një zonë ushtarake çka ka bërë të ruajë natyralitetin e saj.

Plazhi i Velipojës, Shkodër. Foto Terenc Pepa

Plazhi i Velipojës, Shkodër. Foto ADMZ Shkodër

Plazhi i Velipojës, Shkodër. Foto ADMZ Shkodër

Plazhi i Velipojës, Shkodër. Foto ADMZ Shkodër

Fshati turistik i Velipojës

Fshati turistik i Velipojës, ndodhet rreth 30 min nga qyteti i Shkodrës, është një qendër turistike mjaft e këndshme, me peizazh të mrekullueshëm. Kjo zonë shquhet për tradita dhe histori të hershme, me fermerë dhe peshkatarë të zot, mikpritës të njohur në të gjithë Shqipërinë. Velipoja përfshihet në zonën që quhet Peizazhi Ujor-Tokësor i Mbrojtur dhe në të do të gjeni edhe rezervatin natyror, i cili kohëve të fundit po shikohet si një opsion për zhvillimin e turizmit. Grykëderdhja e Bunës, pjese e këtij peizazhi ofron një natyrë të pasur, uji dhe bimësia i japin një panoramë këtij plazhi të vogël që e bejnë edhe më të veçantë. Kjo zonë e pasur me një hapësirë të gjelbërt,  ju ofron një kontakt të drejtëpërdrejtë me natyrën. Nën hijen e pemëve të larta dhe të rrethuar nga një bimësi e shumëllojshme do të keni mundësi të vëzhgoni natyrën dhe bukurinë e saj. Për të gjithë të apasionuarit pas shëtitjeve në natyrë, kjo perlë e natyrës ju ofron një aventurë interesante në ajrin e pastër, ku do të gjeni vetveten të zhytur në një oaz të gjelbërt ndjesish.

Velipojë, foto ADMZ Shkodër

Velipojë, foto nga ADMZ Shkodër

Zona e Vrojtimit të rezervatiti natyror. Foto ADMZ Shkodër 

Explore More