Pogradec: Dremit liqeri pa kufi - Into Albania

Pogradec: Dremit liqeri pa kufi

Pogradec: Dremit liqeri pa kufi

Disa qytete kanë patur fatin të kishin në gjirin e tyre artistë e krijues të cilët e kanë pasuruar qytetin e tyre, ndoshta si shenjë mirënjohjeje për bukurinë që qyteti ju ka dhuruar. I tillë është poeti i madh Lasgush Poradeci, i cili ka përcjellë qytetin e tij të Pogradecit në mënyre mëse të denjë në poezitë e tij, me ëmbëlsinë dhe rimat e bukura të një poeti të klasit botëror. ‘Mi zall të pyllit vjeshtarak, Dremit liqeri pa kufi’ shkruante Poradeci, i cili tek Liqeni i Ohrit gjente frymëzimin e tij e, me shumë të drejtë, ai nuk u largua kurrë nga ky qytet.

Pogradeci shtrihet në bregun jugperëndimor të liqenit i cili përbën dhe shpirtin e vërtetë të tij. Shpallur pasuri natyrore nga UNESCO në vitin 1980, që prej korrikut 2019 është pjesë e listës së UNESCO-s dhe pjesa shqiptare e liqenit. Liqeni është më i thelli në Ballkan (285 m), dhe lag në pjesën më të madhe të tij Maqedoninë (Ohër, Strugë), dhe Pogradecin në Shqipëri. Plot 4 milionë vjet janë dashur që të krijohet një liqen i këtyre përmasave, dhe gjithçka filloi kur nisi të shembej toka në pjesën perëndimore të Alpeve Dinarike.

Me mbi 300 ditë me diell në vit dhe një klime ideale verore, Pogradeci është tashmë destinacioni i mijërave turistëve vendas e të huaj. Ndonëse Pogradeci ofron kuzhinë të shumëllojshme, specialiteti i këtij qyteti mbetet peshku koran, i cili gatuhet në mënyrën e duhur vetëm në Pogradec. Shumë prej jush e dini se ky peshk gjendet vetëm në këtë liqen. Për këtë aryse, në Pogradec, shpesh rrëfejnë historinë tashmë të njohur sipas së cilës korani udhëtoi deri në Pallatin Mbretëror Buckingham, pasi ishte vetë mbretëresha Elizabet e cila kërkoi ta kishte në menunë e saj këtë  peshk të veçantë.  Mbi 200 specie popullojnë liqenin dhe zonën përreth, një ekosistem i cili konsiderohet si një pasuri e vërtetë botërore nga biologë e ekspertë të fushës.

E tek sa rajoni nisi të popullohej që në përiudhen neolitike (6000 vjet më parë), ishin fiset ilire Enkelejtë dhe më pas Desaretët që i dhanë formë qytetit në antikitet, ku një pjesë e trashëgimisë së tyre mund të shikohet ende falë rrënojave të Kalasë së Pogradecit. Fare pranë qytetit janë dhe destinacionet mjaft të populluara nga turistët si Driloni, Tushemishti apo Lini, të cilat rezervojnë surpriza të tjera natyrore, historike e kulturore.

Në mbrëmje, në Pogradec, duke shëtitur në parqet anës liqenit, do të shihni mjelmat e bardha të cilat vallëzojnë mbi liqen si të ishin ëndrra të trupëzuara në realitet. Me dritat që fiken njëra pas tjetrës, në mendje takon sërish Lasgushin:

Tashti po shuhet nene mal
Qytet`i ngrysur n
ë të zi,
Po ndizen yjte dal-nga-dal
Plot bukuri! Plot fsheht
ësi!

Explore More