Preza: Zbuloni kalanë dhe natyrën piktoreske pranë Tiranës - Into Albania

Preza: Zbuloni kalanë dhe natyrën piktoreske pranë Tiranës

Preza është një nga zonat më tërheqëse të luginës së Tiranës, me një pamje të mrekullueshme që të rrëmben. Dikur qytet me ndikim në jetën e feudalëve dhe princave shqiptarë, Preza identifikohet si kodra ku ngrihet kalaja 450 vjeçare.

Historia

Kalaja është ndërtuar mbi një kodër 277 metra të lartë. Aty u martua Mamica, motra e Skëndërbeut. Kalaja është burimi i historive dhe sigurisht dominohet nga shkëlqimi i epokës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Kalaja ka formë pesëkëndrore dhe në katër nga pesë kulmet e saj rrethohet nga themelet e mbetura të kullave vrojtuese. Ajo çfarë e bën mbresëlënëse këtë objekt arkitekturor, është mosha e gurëve me të cilët është ndërtuar. Nga muret e Prezës dallon kalanë e Petrelës apo atë të Lezhës. Legjendat thonë se në luftrat e Skëndërbeut kundër osmanëve kalatë dhe ushtritë rreth tyre komunikonin me pishtarë gjigandë zjarresh.

Burimi i fotos: qarkutirane.gov.al.

Fshati dhe banorët

Çfarë e bën kalanë dhe fshatin mjaft tërheqës për t’i vizituar është natyra dhe traditat e trevës së njerëzve miqësorë dhe të urtë. E gjithë zona është e rethuar nga ullinj qindra vjeçarë. Banorët thonë se pemët janë mbjellë që në kohën e Skëndërbeut. Kjo shpjegon edhe arsyen pse Preza njihet për vajin e ullirit dhe mullinjtë e famshmëm të gurit, prej të cilëve banorët përpunonin ullinjtë. Sot si relike në fshat ka mbetur vetëm një nga 16 mullinjtë e dikurshëm. Pjesa më e madhe e tyre degradoi gjatë kohës së diktaturës. Fshati njihet edhe për punimet e pëlhurës me vegjë, një mekanizëm tradicional i punimit të copave në tezgjah. Preza është një nga destinacionet atraktive të turizmit ditor edhe për të shijuar verën e vreshtave të zonës.

 

Explore More