Qendra Botërore e Bektashinjve - Into Albania

Qendra Botërore e Bektashinjve

Një histori mbijete dhe tolerance fetare

Në daljen verilindore të Tiranës gjeni Qendrën Botërore të Bektashinjve, nje vend kulti e pelegrinazhi që bashkon besimtarë dhe jo vetëm. Kompleksi është ndërtuar në një hapësirë të konsiderueshme fushore ku shquhen Teqeja si objekti kryesor dhe Muzeumi.

Urdhëri i Bektashinjve është një degëzim i besimit mysliman dhe historia e këtij sekti daton qindra vjet më parë. Klerikët bektashinj të të gjithë botës e kanë qendrën në Shqipëri dhe vetë komuniteti është një ndër katër besimet kryesore fetare të vendit. Selia e Kryegjyshatës u vendos në Tiranë rreth viteve ’30 të shekullit të kaluar me dekret të qeverisë shqiptare të kohës ndërsa restaurimi i plotë i kompleksit fetar në formën që ka sot, përfundoi në vitin 2015.

Arkitektura

Teqeja është graviteti i kompleksit fetar dhe kulturor. Mozaikë të shumtë dhe ngjyra dinamike janë skalitur në mermer duke i dhënë vendit një fuqi impresionuese për vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj. Tek skalitjet e ngjyrosura zbulon profilin mistik të besimit bektashi i cili u zhvendos në Shqipëri pasi praktikimi i tij u ndalua në Turqinë e fillim shekullit të kaluar. Odeoni i kompleksit është një ndërtim i rrallë në llojin e tij. Odeoni përfaqëson një bashkësi hapësirash kulturore që jetojnë në harmoni me faltoren e re.

Muzeu, biblioteka, një sallë leximi janë ndalesa interesante në këtë vend kulti. Fotot, dokumentet dhe objektet e ruajtura me kujdes rrëfejnë historinë e këtij komuniteti fetar që praktikon tolerancën dhe harmoninë e pasur mes njerëzve.

Muzeu është vendi i duhur për të zbuluar gjurmët e bektashizmit kudo në Shqipëri, vendet e shenjta të pelegrinazhit që bashkojnë mijëra besimtarë dhe historinë e themeluesve të kësaj rryme fetare. Në muze, një vend i veçantë i është lënë këndit të kujtesës për themeluesit dhe njerëzit që mbrojtën këtë komunitet fetar gjatë viteve të errëta të diktaturës.

Festat

Bektashinjtë i gëzohen vetëm një feste gjatë vitit kalendarik. 22 Marsi është dita kur besimtarët e komunitetit kremtojnë ditëlindjen e Imam Aliut, ose siç njihet ndryshe dita e Sulltan Novruzit. Besimtarët në 22 Mars luten për kohë më të mira dhe nderojnë në pelegrinazhe të shumta besimin e tyre tek Zoti.

    10:00-13:00, 17:00-19:00
    Rruga Dhimitër Kamarda, Tiranë Get Directions

Explore More