Qendra Mesjetare në Berat - Into Albania

Qendra Mesjetare në Berat

Bukuria e ish-qendrës së qytetit

Një nga atraksionet kryesore të periudhës osmane në Berat, ky kompleks i madh përfshin një xhami të bukur, teqe të zbukuruar dhe ballkone të gdhendura në dru.

Berati është një nga qytetet me histori dhe kulturë domethënëse në Shqipërinë jugqëndrore. Pozitat gjeografike të qytetit kanë frymëzuar kryqëzime të ngjarjeve, kulturave, besimeve dhe historive që kanë ndikuar rrjedhat e historisë. Një dëshmi e këtij karakteri është qendra mesjetare e Beratit, e cila përbëhet nga xhamia Mbret, teqeja e Helvetive, konakët si edhe nga disa varre monumentale.

Kjo qendër është ndërtuar pas pushtimit osman dhe quhej nga vendasit si “Sheria e Beratit” që do të thotë qendër. Fatkeqësisht, pasojat e Luftës së Parë Botërore kanë qenë shkatrrimtare për bibliotekën e këtij territori dhe një shkollë ku studionin të rinjtë e qytetit të cilat sot nuk ekzistojnë më.

Xhamia Mbret 

Xhamia Mbret është një nga më të vjetrat në Berat dhe ndodhet në këtë kompleks e ndërtuar nga Sulltan Bajaziti i II-të rreth vitit 1480. Xhamia përbëhet nga minareja, salla elutjeve dhe nga portiku. Faqet murale anësore kanë dritare të bollshme që sigurojnë ndriçim në pjesën e brendshme të objektit të kultit. Ndërtesa brenda ndahet në dy kate, arkitektura e të cilave përbëhet nga kolona, harqe dhe dekoracione shumëngjyrëshe. Gdhendja e drurit është një element i jashtëzakonshëm në këtë ndërtesë, pasuruar me finesë nga domethëniet fetare.

Xhamia Mbret, foto nga IntoAlbania.

Teqeja e Helvetive 

Teqeja e Helvetive është një tjetër monument i këtij kompleksi që paraqet, sipas bashkisë së Beratit, një nga realizimet më të mira të arkitekturës në qytet. Teqeja është ndërtuar në shekullin e XV-të dhe është rindërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në fund të viteve 70-të të shekullit XVIII. Objekti i përket sektit me të njëjtin emër dhe ndodhet në pjesën lindore të Xhamisë Mbret. Teqeja është e rrethuar nga oborri, i pasuruar me shumë konakë siç quhen në gjuhën lokale ballkonet.

Hyrja e Teqesë Helvetive, foto nga IntoAlbania.

Objekti i rrallë për nga dekoracionet e bukura në dru dhe në ngjyra shpërfaq një paradhomë që i paraprin asaj të lutjeve. Tavani është pjesa më e bukur e ndërtesës, dekoruar me shumë finesë në harmoni mes ngjyrave jeshile, të florinjtë, violë, të kuqe dhe blu. Në këtë manifestim dekorues zbukurohen edhe muret anësore me afreske të besimit fetar që lartëzojnë besimin në zot.

Tavani i Teqesë Helvetive, foto nga IntoAlbania.

Varre Monumentale dhe Konakë

Pranë sallës së lutjeve ndodhet mauzoleja e varreve të Ahmet Kurt Pashës dhe djalit të tij. Ballkonet janë ndërtuar gjithashtu prej druri dhe mbahen nga kolonat. Këto konakë shërbenin si hane për besimtaret që vinin për të bërë ritet fetare apo për nxënësit që studionin në medresenë e shkatërruar gjatë Luftës së Parë Botërore. Nën godinë ndodhet një kanal i cili mbledh ujërat e mbetura dhe i derdh në lumin Osum. Mund të  plotësoni vizitën tuaj në  kompleksin fetaro-social duke vizituar teqen e Sheh Qerimit, që ndodhet pranë objekteve të  tjera.

Varret Monumentale pranë Qendrës Mesjetare, foto nga IntoAlbania.

Explore More