"Reja" e Fujimotos - Into Albania

“Reja” e Fujimotos

Jeta argëtuese brenda një reje

“Reja” e Fujimotos është një instalacion gjigand përballë Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Një vepër e krijuar për Serpentine Pavilion 2013, kur “reja” u instalua në Londër për herë të parë, kjo strukture artificiale me shufra çeliku të bardhë, të gjithëve ju ngjasonte në mënyrë të çuditshme me fenomenin natyror më të butë në dukje: një re të madhe. Ashtu si në Londër, edhe në Tiranë, “Reja” është shndërruar në një nga atraksionet më tërheqëse, duke funksionuar edhe si një hapësirë e pavarur artistike, me një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore e sociale. Sidomos gjatë mbrëmjeve të verës, ajo bëhet skena më e preferuar për teatrin, kinemanë dhe muzikën.

Artisti i “Resë”, Sou Fujimoto, kishte në mendje diçka të ngjashme kur mendoi të ndërtonte këtë strukturë në mes të Parkut Hyde në Londër. Dëshira e tij ishte të krijonte një harmoni të rrjedhshme midis natyrës dhe strukturës artificiale si edhe një hapësirë të brendshme funksionale. Kjo e fundit ka një madhësi të habitshme! Ndonëse struktura është e ndërtuar në çelik të bardhë, forma e saj e çrregullt e bën të zbutet e të përshtatet me ambientet e jashtme ku ajo vendoset. Është posaçërisht e krijuar për të mbrojtur vizitorin nga elementet natyrore por pa i fshehur ato, duke lejuar ajrin e dritën e diellit të depërtojnë edhe në brendësi të saj, aty ku zhvillohen një sërë aktivitetesh.

Prej vitit 2016, kur “Reja” u transferua nga parku i Londrës në oborrin e gjelbërt të Galerisë në Tiranë, ky instalacion është kthyer në një qendër të re. Duke zënë një sipërfaqe prej 540 metra katrorë e me lartësi prej 7 metrash, “Reja” nuk duket se pengon aspak peizazhin përreth saj. Në të kundërt, ajo e ka kthyer sheshin në një hapësire – në plot kuptimin e fjalës – interaktive dhe sociale. Çdo njeri që kalon përmes bulevardit kryesor të kryeqytetit, tërhiqet nga tingujt e muzikës, filmit, apo njerëzve që gumëzhijnë brenda “Resë”. Me shumë të drejtë, pasi kjo hapësirë ofron ndoshta mundësinë më të përafërt e një jete të përkohshme mes reve!

Për informacione mbi eventet tek “Reja”, vizitoni faqen zyrtare reja. al.

    Bulevardi "Deshmoret e Kombit", Tiranë Get Directions
    1 orë

Explore More