Book Your Stay
Book Your Flight
Një nga restorantet më të mira të Tiranës, i njohur për menunë unike dhe arredimin plot stil.
Restorant Millennium gjendet fare lehtë. Mjafton të përshkoni pedonalen e Tiranës, e do të gjendeni shumë shpejt në hapësirën e Kinema Millennium, ku përveç kinemasë, ndodhet dhe restoranti. Ky i fundit është kthyer në një nga emrat më të njohur të kryeqytetit për shkak të menusë moderne e shërbimit të rafinuar.
Restorant “Millennium” nga jashtë, foto nga IntoAlbania.
Muret e xhamit dhe pemët e limonit apo gjelbërimi që duket përtej tyre i japin një izolim restorantit, i cili ironikisht ndodhet dhe në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës. Nëse gjatë ditës arkitektura e restorantit është e tillë sa mundëson dritën natyrale të hyjë këndshëm nga të gjitha anët, në mbrëmje ndriçimi i kujdesshëm krijon një atmosferë tejet intime e të ngrohtë.
Arredimi i brendshëm i restorant “Millennium”, foto nga IntoAlbania.
Menuja e “Millennium” është mjaft e kuruar dhe e pasur. Menu peshku e mishi, pasta e rizoto, për të mos folur për specialitetet ku nuk mungojnë gafore Alaske, karkaleca Senegali apo fileto krokodili. Edhe menuja e verërave është mjaft e zgjedhur, tek sa ëmbëlsirat gjithashtu këtu janë mjeshtëri më vete.
“Millennium” interior dizajn, foto nga IntoAlbania.
Në raport me restorantet e tjera në Tiranë çmimet këtu janë më të larta, por i tillë është dhe shërbimi në tërësi dhe cilësia e pjatave. Sidoqoftë, sapo kujtoheni se oktapodi me pure dhe salcë haviari këtu kushton thuajse sa një hamburger menu në fast-food-et evropiane, çmimet e restorant “Millennium” të duken mëse të justifikueshme.
Sallatë Millennium, tartar viçi, rizoto me tartuf e kërpudha të egra, si dhe mëllenjë me gështenja. Ëmbëlsira: sufle me akullore.