Rrajca - Into Albania

Rrajca

Oazi i paprekur i mrekullive natyrore

Zona e ndaluar gjatë periudhës komuniste dhe tashmë e mbrojtur nga UNESCO për natyrën e saj të rrallë po kthehet në një nga destinacionet natyrore më të kërkuara të vendit.

Thuajse në kufi të Maqedonisë se veriut, Rrajca bën pjesë në parkun e mbrotjur kombëtar të Shebenik-Jabllanicës. Praku gjigand është ende relativisht i panjohur sepse ka qenë zonë e ndaluar kufitare gjatë gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Por, ishte pikërisht kjo mbyllje që sot përbën dhe një nga asetet më të mëdha të tij! Rreth 34 mijë ha sipërfaqe plot me pyje, livadhe e lule shumëngjyrëshe, janë të paprekura.

Vendndodhja

Fshati me natyrë dhe reliev mbresëlënës gjendet përgjatë rrugës kombëtare që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut. Distanca nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës është rreth 90 km dhe itinerari lehtësisht i dallueshëm nga sinjalistika rrugore dhe turistike. Ndonëse më pak se dy orë rrugë e ndajnë fshatin e mahnitshëm të Rrajcës nga kryeqyteti, aty do të gjeni një botë krejt tjetër me natyrë të paprekur nga koha apo njeriu.

Malet rreth Rrajcës. Burimi: wikimedia, invest-in-albania.org

Pjesë e trashëgimisë botërore

Rrajca që prej vitit 2017 është rezervat natyror i mbrojtur nga UNESCO për ahun e lashtë të Evropës. E gjithë zona konservohet në mënyrë strikte për këtë gjini të rrallë të bimësisë evropiane, duke i dhënë krahinës superioritet pavarësisht relievit të thyer malor.

Shtëpia e liqeneve

Zona njihet për më shumë se 18 liqene akullnajore, por 4 prej tyre listohen si atraksione të mirëfillta turistike, për shkak të perimetrit të konsiderueshëm ujor. Rrajca dhe liqenet e saj janë të vizitueshme në të tre stinët e buta të vitit, ndërsa gjatë dimrit temperaturat e ulëta dhe relievi i thyer kërkojnë guida të kualifikuara.

Liqenet e Rrajcës. Burimi: invest-in-albania.org

Kontrastet e natyrës

Jo vetëm mal, por edhe fushë. Rrajca është një bashkësi interesante formash gjeografike që e bëjnë të përshtatshme zonën për hiking buzë lumenjve, për të apasionuarit e kërkimeve në shpella apo për bilogët dhe studiesit e natyrës së egër, për çiklizmin malor, apo për alpinizëm. Distanca më e afërt me një qendër të banuar është qyteti i Librazhdit, vetëm 19 km larg malësive të Rrajcës.

Monumentet

Liqenet akullnajore në lartësi mbi 1800 metra nga niveli i detit, rrjedhat e lumenjve që bashkohen në Shkumbin apo shpellat nuk janë të vetmet monumente të natyrës së Rrajcës. Zona njihet për një nga kishat e rralla të ndërtuara në shpellë, atë të Kosharishtit. Në shpellë janë gjendur figura e mbishkrime të shek. II para erës sonë dhe vizita në këtë objekt këshillohet të kryehet me ndihmën e një guide.

Mbrojtja

Në zonë është e ndaluar gjuetia dhe konservimi strikt ka rritur praninë e specieve të egra; derri i egër, ariu i murrmë, kaprolli dhe ujku.

Explore More