Ujëvara e Shëngjergjit - Into Albania

Ujëvara e Shëngjergjit

Oazi pranë Tiranës

Ishte një sekret i mbajtur i paprekur për një kohë të gjatë, një perlë që u zbulua për publikun e gjerë vetëm përpara pak vitesh. Po flasim për Ujëvarën e Shëngjergjit, e cila tashmë është një nga destinacionet natyrore më të vizituara të Tiranës. Vetëm një orë me makinë do të mjaftojë që ju të gjendeni të zhytur në një oaz të vërtetë natyror, plot pemë shumëngjyrëshe e bimësi të dendur, i cili kulmon me ujëvarën që bie nga shkëmbinjtë nga një lartësi prej 30 metrash. Ujëvara që furnizohet me ujë nga mali me Gropa dhuron një spektakël të vërtetë prej të cilit nuk do të duash të largohesh. Melodia e ujit që duket sikur rrjedh në përjetësi prej atyre shkëmbinjve shtresëzore dhe qetësia që përthithet me ajrin e pastër, e bëjnë këtë ujëvarë një gur të çmuar të kurorës së pasurive natyrore të kryeqytetit.

Duke përshkuar rrugën nacionale Tiranë – Shëngjergj, tashmë është shumë e thjeshtë të vizitosh ujëvarën falë të gjitha sinjalistikave të nevojshme. Rruga në vetvete është një eksperiencë tjetër që ja vlen të shijohet, falë gjelbërimit e maleve që rrethojnë luginën e Shëngjergjit, dhe lumit gurgullues të Erzenit që të shoqëron ngado.

Popullariteti i këtij destinacioni ka bërë që të organizohen ture nga disa agjensi të ndryshme gjatë gjithë vitit. Të shumtë janë dhe turistët të cilët individualisht zgjedhin të shkëputen nga kaosi urban, për të shijuar natyrën ashtu siç ka qenë përpara se njeriu të linte shenjën e tij. Nuk mund të lini pa vizituar dhe majën e Skrepit, që falë pozitës dominuese të jep mundësi të kesh një panoramë mbresëlënëse të gjithë maleve që përqafojnë luginën.

Vështirësia: e thjeshtë. Makina do ju shoqërojë deri në pjesën kryesore të rrugës, ndërkohë që kur të mbërrini pranë monumentit natyror do ju duhet të ecni përreth 10 minuta me këmbë. Këshillohet pajisja me këpucë mali, për ta bërë ecjen dhe ngjitjen e terrenit më të sigurtë dhe të lehtë.

    Rruga nacionale Tiranë – Shëngjergj Get Directions

Explore More