Sheshi i Flamurit - Into Albania

Sheshi i Flamurit

Në respekt të historisë

Më 28 Nëntor 1912, u shpall Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë, dhe u ngrit flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare. Sheshi i Flamurit, është vendi ku përvit përkujtohet kjo ngjarje e shënuar, falë Monumentit të Pavarësisë në qendër të sheshit, si dhe prezencës së plot objekteve që janë dëshmi e historisë.

Monument i Pavarësisë është ndërtuar në vitin 1972 në nder të Shpalljes së Pavarësisë, dhe për të kanë punuar skulptorët Muntaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri. Në grupin skulpturor prej bronzi spikat figura e Ismail Qemalit, arkitektit të Pavarësisë, që u bë dhe Kryeministri i parë i historisë së Shqipërisë. Monumenti është 17 metra I lartë, dhe në krye të tij valëvitet simbolikisht një flamur në bronz.

Në Sheshin e Flamurit ndodhet dhe Shtiza e Flamurit, një piedestal i dekoruar me datën e pavarësisë dhe shqiponjën kombëtare. Nëse gjendeni në shesh, nuk mund të mos bëni dhe një ndalesë në varrin e Ismail Qemalit, që ndodhet pas Shtizës së Flamurit brenda lulishtes aty pranë. Një kurorë me lule apo një kujtim simbolik në nder të babait të kombit shqiptar do të ishte mënyra e duhur për të nderuar figurën e Qemalit.

Explore More