Shpella e Çafkave në Tropojë - Into Albania

Shpella e Çafkave në Tropojë

Zbulohet shpella vertikale e veçantë

Krejtësisht e panjohur deri më sot por me potencial për turizmin e aventurës dhe adrenalinës, Shpella e Çafkave është zbuluar muajt e fundit nga një grup me pesë eksploratorë të guximshëm nga Kosova.

Shpellat përbëjnë një prej atraksioneve më të kërkuara nga turistët në mbarë botën, veçanërisht prej atyre të apasionuarve pas eksplorimit të natyrës. Zona e Tropojës njihet për numrin dhe shumëllojshmërinë e shpellave të saj, sidomos ato karstiket, të cilat krijohen nga tretja e shkëmbinjve gëlqerorë. Mes të gjithë shpellave të shumta të Tropojës që njihen, është zbuluar së fundmi edhe një shpellë e jashtëzakonshme vertikale. Me diametër 7 metra dhe thellësi prej 120 metrash, kjo shpellë brenda saj ka hapësira me permasat e një stadiumi futbolli. Ajo quhet Shpella e Çafkave.

Shpella e Çafkave. Foto nga Gani Halili.

Shpella e Çafkave. Foto nga Gani Halili.

Grupi eksplorues

Në 8 gusht të 2020-ës, grupi i apasionuar pas alpinizmit, me në krye Aziz Kastratin, Blerton Nuhaj (Kryetar i klubit të ngjitjes “Ketrat”), Isa Balaj, Gani Halili dhe Lorik Bokshin, e eksploruan këtë shpellë pjesërisht duke u lëshuar në një zbritje ertikale prej 120 metrash. Një rol të rëndësishëm pati edhe Isuf Adem Doçi, një bari 70 vjeçar i zonës, i cili ju bashkua grupit eksporues më vonë e qëndroi me ta deri ne fund. Eksploratorët u habitën nga veçantia e shpellës dhe e thellësisë së saj të pa hasur në vend, apo edhe në Ballkan, deri më sot.

Grupi eksplorues pranë shpellës së Çafkave. Foto nga Gani Halili.

Grupi eksplorues pranë shpellës së Çafkave. Foto nga Gani Halili.

Ku ndodhet

Shpella e Çafkave gjendet në Tropojë, midis luginës së Çeremit në verilindje dhe degëve të majta të Valbonës në juglindje, në një kodër të quajtur Qyteti i Rrasave, mbi 2060 metra mbi nivelin e detit, midis Majës së Gjarpërit (2142 m) dhe Majës së Isuf Demës (2243 m).

Të dhënat

Të dhënat e zbuluara nga grupi janë diametri i kësaj shpelle prej 7 metrash, thellësia vertikale mbi 120 metra, deri në kontaktin me borë (një grumbull masiv bore në formë piramide deri 30 metra), një hapësirë sa një fushë futbolli (100 x 50 m) në formë kupolle. Shpella është shumë e ftohtë dhe pa shenja të ndonjë gjallese, si lakuriqët, etj. dhe ka dy korridore ende të paeksploruar.

Grupi eksplorues pranë shpellës së Çafkave. Foto nga Gani Halili.

Grupi eksplorues pranë shpellës së Çafkave. Foto nga Gani Halili.

Si u zbulua

Fillimisht, shpella u zbulua rastësisht gjatë një “ecjeje bjeshkatare” për të prekur majat e Gjarprit dhe të Isuf Demës. Ishte një bari i zonës i cili i tregoi grupit për Qytetin e Rrasave dhe shpellën e veçantë të pa vizituar nga askush, përveç barinjve të zonës. Ata ngjitën majën rreth 2060 m dhe aty zbuluan se emri “Qyteti i Rrasave” nuk ishte i rastësishëm. Në majë, gjendej një rrafsh i madh i rrasave në të cilin ndodhej kjo shpellë.

Teknikat e përdorura për të zbritur në shpellën e thellë ishin mjaft interesante. Hapi i parë i grupit ishte lëshimi i litarëve prej 100 m e 150 m, për të matur thellësinë. Hapi i dytë ishte lëshimi i kanarinës (zogu më i ndjeshëm ndaj oksigjenit dhe gazrave) për të verifikuar oksigjenin e gazrat e mundshëm. Pasi kanarina qëndroi 10 min në atë thellësi e doli në gjendje normale, u plotësua kushti i sigurisë për lëshim. Lëshimi në shpellë zgjati vetëm 5 minuta ndërsa ngjitja në kthim zgjati 1 orë.

Duke zbritur në shpellë. Foto nga Gani Halili.

Duke zbritur në shpellë. Foto nga Gani Halili.

Explore More