Shtëpia-Muze e Aleksandër Moisiut - Into Albania

Shtëpia-Muze e Aleksandër Moisiut

Turizëm Kulturor

Shtëpia-Muze e Aleksandër Moisiut

Turizëm Kulturor

Një shtëpi me arkitekturë mbresëlënëse që imponohet për vizitorët me modelin e saj qytetar, që ruan gjithashtu trashëgiminë e aktorit të madh shqiptar Aleksandër Moisiu, si dhe trashëgiminë etnografike të qytetit.

Vendndodhja dhe arkitektura

Muzeu etnografik ndodhet pranë Amfiteatrit të Durrësit, dhe është tipike e arkitekturës së re shqiptare të shekullit të kaluar ku spikat harmonia mes gurit dhe drurit. Godina ka dy kate, shkallë të ngritura mbi kurrize harqesh, një çardak të gjerë druri të mbuluar nga punime që “pikojnë” mbi kolonat mbajtëse. Shtëpia ka disa dhoma të mëdha të cilat rrihen nga dielli thuajse pjesën më të madhe të ditës. Oborri mbulohet nga fijet e barit që dalin rreth pllakave të gurit që shtrojnë kalldrëmin rrethues. Dritaret kanë ruajtur karakteristikat e kohës, ato thuajse janë 100 vjeçare. Ambientet e brendshme ndahen në mënyrë dinamike dhe karakteristikë kanë mbulesat e drurit të skalitur në çdo tavan.

Shtëpia-Muze e Aleksandër Moisiut, gjithashtu Muzeu Etnografik i qytetit. Foto nga IntoAlbania.

Aleksandër Moisiu

Dy nga hapësirat e muzeut i janë dedikuar aktorit te madh të skenës botërore Aleksandër Moisiu. Aktori me baba shqiptar dhe nënë italiane ka kaluar në këtë shtëpi disa nga vitet e fëmijërisë së tij. Koha vetëm e ka çmuar më shumë ndërtesën qytetare të Durrësit për këtë fakt. Moisiu ka kryer studimet e hershme elementare në Durrës e më pas familja e tij u zhvendos në Trieste.  Aleksandër Moisiu njihet për temperamentin e tij të fortë artistik që la gjurmë në skenat evropiane të artit skenik.

Një nga sallat dedikuar aktorit, foto nga IntoAlbania.

Foto nga IntoAlbania.

Muzeu Etnografik

Dhomat e brendshme të muzeut shfaqin traditën dhe etnografinë e zonës. Mjetet tradicionale shtëpiake të quajtura vegje ekspozojnë punimin e teshave të pambukta, copave të mëndafshit dhe qëndismave me fije ari. Punimet me dorë janë vlerë e shtuar e muzeut, ato i kanë rezistuar kohës dhe shpalosin etikë e stil elegant kompozimi. Pjesë e muzeut të këtij lloji janë objektet e jetesës së përditshme shtëpiake ku dallojnë enët e bakrit.

Muzeu Etnografik, foto nga IntoAlbania.

Muzeu Etnografik i Durrësit, foto nga IntoAlbania.

 

Nga: IntoAlbania

Çfarë ofron Durrës

Të ngjashme

Të rejat

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics