Shtëpia – Studio Kadare - Into Albania

Shtëpia – Studio Kadare

Njihuni me shtëpinë e vjetër të Kadaresë në Tiranë

Brenda pallatit që në kohën kur u ndërtua u kritikua për format kubiste,  ndodhet Shtëpia – Studio Kadare, një hapësirë që i dedikohet shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare.

Shtëpia e vjetër e Ismail Kadaresë, shkrimtarit shqiptar me influencë në Shqipëri dhe në botë, tashmë është e hapur për publikun. Hapësira ku shkrimtari jetoi e punoi nga viti 1974 deri në fillim të viteve ’90 në Tiranë, është e vizitueshme për këdo që do të njihet në mënyrë pak më intime me jetën e autorit. Falë mobiljeve autentike të mbetura po ato, librave të koleksionit të Kadaresë, e plot objekteve apo detajeve që të shpien në jetën personale të shkrimtarit, një vizitë këtu i ngjan një takimi fizik me Is-in (siç e thërret Helena në kujtimet e saj), edhe pse në mungesë të tij.

Album fotografik brenda muzeut, foto nga IntoAlbania.

Studioja private

Ndalesa më e pëlqyeshme është tek studioja private e shkrimtarit, aty ku spikasin titujt e librave që kanë influencuar Kadarenë, të vendosura në një raft të bardhë të montuar nga vetë shkrimtari. Përbri librave ndodhet oxhaku, e përballë oxhakut, tryeza e shkrimtarit, me makinën emblematike të shkrimit “Hermes Baby”.

Makina e shkrimit “Hermes Baby”, foto nga IntoAlbania.

Lexuesit e Kadaresë, këtu mund të risjellin në mendje personazhet e njohur të Ismailit, që u lindën në këtë tryezë, e prej saj përshkuan qytetet reale apo alegorike të ndërtuara përmes fjalëve. Na duket sikur shohim personazhin e Mark-Alemit, që përpara se të mbërthente “kopsën e fundit të qafëzës së palltos”, hapte sërish tendat e studios, për të parë “ndërtesat hijerënda që çoheshin drejt e mbi lëvizjen e rrugës”.

Pikërisht këtu realizohej aporia e pazgjidhshme e raportit imponim-pranim-refuzim i estetikës të diktuar nga pushteti i kohës (duke rimarrë konceptin e Rugovës), që i dha Kadaresë statusin e një shkrimtari të përbotshëm.

Salloni qendror

Një tjetër dhomë interesante është salloni qendror, ku gjendet gjithashtu një bufe autentike e kohës kur banoi Kadare në këtë shtëpi, me plot surpriza që fshihen brenda rafteve të saj.

Salloni pritës, foto nga IntoAlbania.

Duke hapur sirtaret, shohim shkrime origjinale, tekste të revizionuara nga vetë Kadare, fotografi familjare të Ismailit, letërkëmbime të tij me personazhe të njohur të botës letrare, madje edhe bllokun e kujtimeve.

Blloku i Kadaresë, foto nga IntoAlbania.

Dhomat e ekspozimit

Ndërkohë që edhe dhomat e tjera të shtëpisë kanë tashmë një funksion të ri. Për shembull dhoma e dy vajzave të tij, ka tanimë rolin e dhomës së ekspoziteve të ndryshme, që i dedikohet sukseseve ndërkombëtare të Kadaresë. Ekspozita e parë i kushtohet romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ku jepen të dhëna shteruese mbi botimin apo edhe filmat e realizuar bazuar në të.

Foto nga IntoAlbania.

Kuzhina gjithashtu është një hapësirë e dedikuar skenareve për filma të shkruara nga çifti Kadare. Së fundmi, dhoma e gjumit e Ismailit është kthyer në një sallë leximi e studimi për të apasionuarit e Kadaresë, që pritet t’i vijë në ndihmë dhe studiuesve që këtu mund të marrin plot informacione të detajuara mbi autorin.

Foto nga IntoAlbania.

Godina

Një kat më sipër shtëpisë së Kadaresë ka jetuar e banuar gjithashtu një tjetër emër i madh i letërsisë shqiptare, Dritëro Agolli. Për të interesuarit, stafi i muzeut jep plot informacione dhe për historikun e pallatit, apo të shkuarën historike të zonës, me albumin fotografik përkatës. Vetë pallati është etiketuar gjatë diktaturës komuniste si një ndërtesë me forma kubiste, duke i paraprirë dhe dënimit të mëvonshëm të arkitektit të tij, Maks Velo.

Foto nga IntoAlbania.

Fjalët

Muzeu ofron dhe një surprizë të fundit. Muret e shtëpisë janë të shkruar me disa nga citimet më të njohura të librave të Kadaresë. Vizitorët këshu bëhen pjesë e një loje të pëlqyeshme, ku humbasin në tekstet e shkrimtarit. Kemi hyrë në Mbretërinë e Fjalëve, që sic thotë Kadare, “është një tirani e pamëshirshme”.

    E martë - e shtunë 09:00 to 19:00 E dielë 09:00 to 17:00
    Rruga e Dibrës Get Directions
    1 orë e 30 minuta

Explore More