Të punosh detajin: me qëndistaren Egla Memaj - Into Albania

Të punosh detajin: me qëndistaren Egla Memaj

Një motiv prej vetëm 3 centimetrash, i shkëputur nga një sako Berati, i zmadhuar disa herë përmes qëndisjes. Një tjetër detaj gjithashtu i përmasave minimale i marrë nga një pëlhurë mesjetare, i zmadhuar në qëndisje. Ky është arti i Egla Memaj, një qëndistareje të re që përmes stilit të saj unik po krijon një prezencë lehtësisht të dallueshme në qëndistarinë shqiptare.

Egla në punën e saj të përditshme, foto nga IntoAlbania.

Pasioni për qëndisjen dhe gjilpërën tek Egla ka lindur që herët, në moshën 6-7 vjeçare, tek sa shihte gjyshen apo të ëmën të punonin me gjilpërë. Ky art i trashëguar në breza, vazhdoi të ushqehej brenda Eglës, e cila nga qëndisjet për kukulla, kaloi tek studimet përkatëse, duke u diplomuar për tekstil dhe modë në Universitetin e Arteve. Ishte pikërisht aty kur kuptoi se praktikimi i këtij arti mund të kthehej dhe në një profesion të mirëfilltë.

Foto nga IntoAlbania.

“Për punime të ndryshme më duhet të rri nga mëngjesi deri në darkë, për javë apo muaj të tërë duke qëndisur. Nuk mund ta bësh diçka të tillë nëse nuk e do vërtet,”-na thotë ajo, duke na dëshmuar së përtej talentit apo eksperiencës, ky profesion kërkon një dedikim që mund ta kenë vetëm ata që jetojnë vërtet me të.

Foto nga IntoAlbania.

Në të shkuarën, Egla ka realizuar dhe ekspozita të cilat kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Fokusi i saj është përherë tradita, folklori, etnografia shqiptare, e për këtë arsye ajo është një vëzhguese e vëmendshme e muzeve, artifakteve, qyteteve të vendit, pasi çdo udhëtim fizik apo i mendjes, mund t’i shërbejë si burim inspirimi.

Foto nga IntoAlbania.

Materialet e përdora prej saj janë kryesisht pambuku, lino, gobelin, apo mëndafsh, tek sa fijet janë ngjyrë ari. Kur ballafaqon detajet e zmadhuara prej saj, me pozicionimin e tyre fillestar në një vepër të caktuar, kupton se pa këtë lente zmadhuese të Eglës, elementë interesantë të kryeveprave shqiptare në muze apo objekteve etnografike ndoshta do të kalonin pa u vënë re.

Foto nga IntoAlbania.

Atelieja e Eglës është një hapësirë mikëpritëse për të gjithë ata që duan të shohin nga afër punimet e saj. Si çdo atelie mund të realizohen dhe punime me porosi, gjithmonë duke mbajtur parasysh kohën dhe dedikimin që kërkon secila prej tyre.  Nëse doni të zhyteni në një botë sa mesjetare e tradicionale, aq edhe koherente e moderne, atelieja e Eglës është hapësira e duhur për të përhumbur në kohë, art dhe traditë.

Adresa: Rruga “3 dëshmorët”, Yzberisht, Tiranë. Eglën mund ta kontaktoni për më tepër në adresën e saj të e-mailit memajegla@gmail.com.

 

 

 

Explore More