Tirana Ekspres: Hapësira alternative e artit në kryeqytet - Into Albania

Tirana Ekspres: Hapësira alternative e artit në kryeqytet

Që nga netët me muzikë live, tek mbrëmjet e kinemasë, “Tirana Ekspres” ja ka dalë të jetë një nga emrat më të njohur në Tiranë për jetën kulturore e artistike të pasur.

Për të gjithë ata që duan një hapësirë ku kreativiteti i tyre të vijë i lirë, Tirana Ekspres është një mundësi unike në kryeqytet. Në lokalin që ndodhet mu pranë Pazarit të Ri, mbrapa sheshit Avni Rustemi, do të gjeni një jetë nate mjaft të gjallë në çdo ditë të javës, si dhe plot ambjente komode për pushim gjatë mëngjesit.

Hyrja e “Tirana Ekspres”, foto nga IntoAlbania.

Kino-klubi

Java këtu fillon me kino-klubin e ditës së hënë, ku prej muajit mars deri në fund të vjeshtës, transmetohen në verandë filma të zgjedhur, të cilët më pas krijojnë debatin e natyrshëm mes të pranishmëve. Imagjinoni një tarracë të mbushur plot me të dashuruar pas filmit, që zgjedhin të kalojnë netët e ngrohta të vitit duke parë Fellinin, Antonionin, Kubrick apo Tarantinon nën yje; ky takim nuk duhet humbur për asnjë arsye!

Brenda “Tirana Ekspres”, foto nga IntoAlbania.

Veranda gjatë ditës, foto nga IntoAlbania.

Jazz & Muzikë Live

Lokali njihet veçanërisht për traditën e të mërkurave të jazz-it. Tek sa lokalet e tjera të Tiranës ngjajnë të fjetura në mesjavë, Tirana Ekspres të krijon ndjesinë se je në fundjavë. Atmosfera fantastike që krijohet nga muzika e mirë si dhe koktejlet e përzgjedhura, bëjnë që këtu festa të zgjasë deri vonë në mbrëmje. Muzika live rivjen edhe të shtunave.   

Urban Band duke performuar në “Tirana Ekspres”, foto nga IntoAlbania.

Atmosfera e këndshme brenda “Tirana Ekspres”, foto nga IntoAlbania.

Art dhe kulturë

Përveç adhuruesve të filmave, Tirana Ekspres organizon ekspozita të shpeshta, duke i dhënë platformën ideale artistëve të rinj për të promovuar krijimet e tyre. Organizohen gjithashtu takime nga më të ndryshmet, që nga leximi i poezive tek netët e debatit mbi tematika të përcaktuara më herët. Nuk mungojnë as hapësirat ku çdokush mund të vijë për të lexuar apo studiuar i pashqetësuar nga askush.

Dizajni i brendshëm tek “Tirana Ekspres”, foto nga IntoAlbania.

Dhomë relaksi dhe studimi tek “Tirana Ekspres”, foto nga IntoAlbania.

“Te Baçja”

Tirana Ekspres ka të bashkangjitur dhe ambjentin “Te Baçja”, ku organizohen disa nga aktivitetet artistike dhe kulturore të lokalit, si psh takimi me pikturë e verë, ku të gjithë të apasionuarit pas pikturës kanë mundësi të praktikojnë këtë art nën ndihmën e profesionistëve. 

“Te Baçja”, foto nga IntoAlbania.

“Te Baçja” ofron së fundmi dhe akomodim dhe ambjentet tipike të një guesthouse-i intim. Në çdo orë të ditës kjo vilë ngjan si një ishull i këndshëm i shkëputur nga realiteti përreth plot zhurmë, ku mund të vish për të lexuar, studiuar, apo pirë një gotë çaj apo kafe, nën aromën e këndshme të pemëve përreth.

“Te Baçja”, foto nga IntoAlbania.

Lately, Te Baçja has also begun offering accommodation in an intimate and very comfortable guesthouse!

“Te Baçja”, foto nga IntoAlbania.

Për t’u njohur më tepër me të gjitha aktivitetet javore, takimet e filmave, pikturës, muzikës jazz apo shfaqjeve live, si dhe eventeve të tjera, mjafton të vizitoni adresën online:  tiranaekspres.com, apo të ndiqni rrjetet sociale në instagram dhe facebook.

    Hoxha Tahsim Street, behind Avni Rustemi square Get Directions

Explore More