Tradita vazhdon te Met Kodra - Into Albania

Tradita vazhdon te Met Kodra

Ushqim tipik i shpejtë tradicional

Dyqani i Met Kodrës ka qenë pjesë e lagjes së Pazarit të Ri prej më shumë se gjashtëdhjetë vitesh. Kjo është një arritje jo e vogël po të mbajmë parasysh shpejtësinë me të cilën hapen e mbyllen vendet në këtë qytet. Por e ka një arsye se përse ky dyqan ja ka dalë të mbijetojë në historinë kaotike të Tiranës, e në proceset transformuese të saj, përfshirë transformimet e shijeve të banorëve.

Kur i përmend ‘qoftet e skarës’ shqiptarëve, thuajse të gjithë do të thonë se sa të shijshme kanë pas qenë ‘njëherë e një kohë.’ Por e shkuara nuk është humbur te Met Kodra, pasi qoftet e skarës këtu vazhdojnë e gatuhen si njëherë e një kohë, duke ruajtur atë shijen autentike që të bën të katapultohesh gati në vitet ’80 apo ’90. Për vizitorët e huaj, kjo është ndoshta shija tipike shqiptare që kanë kërkuar ta gjejnë përgjatë qëndrimit të tyre.

Një njeri modest, qëndron mbi skarën që lëshon tym, duke parë një varg qoftesh të buta. Duke dëgjuar Tanin, pronarin e tanishëm, që rrëfen historitë e këtij dyqani, kupton se sa shumë besnikëri duhet në një biznes për të ruajtur traditën dhe cilësinë. Pronari i parë i dyqanit, Mustafa Kodra, portreti i të cilit varet në mur, e nisi biznesin në vitin 1957. Djali i tij, që i jep emrin dyqanin, Muhamet Kodra, ndoqi hapat e të atit. Tashmë Tani, që u martua në familjen Kodra, ka marrë përsipër biznesin e familjes, në të cilin ka punuar prej më shumë se 30 vitesh. “Vazhdoj e marr mishin nga i njëjti kasap i besuar, për të ruajtur të pandryshuar shijen!” na thotë ai me krenari e buzëqeshje. “Nëse nuk ruajmë disa tradita, cili është thelbi i asaj që bëjmë?” Një burrë fjalëpak, por që hyn drejt e në temë.

Mos u mashtroni nga pamja e jashtme e dyqanit. Edhe pse është rinovuar vetëm kohët e fundit, duke marrë një pamje bashkëkohore, vazhdon të jetë një dyqan mjaft tradicional në filozofi. Ndërthuret bukur me bizneset e tjera që ndodhen në këtë lagje, edhe pse është kaq i ndryshëm në shumë aspekte prej tyre. Te Met Kodra, do të gjeni mish 100% të freskët viçi, të  pjekur në skarë në mënyrë të përsosur, e të spërkatur me kripëra e bimë, përpara se të shërbehet brenda një buke të ngrohtë. Pikërisht në këto ushqime mund të kuptoni me të vërtetë cilësinë. Shija njëherësh sa autentike aq edhe e thjeshtë, bën që njerëzit të vazhdojnë të vijnë tek dyqani legjendar i Met Kodrës.

Të panumërt janë klientët që ikin e vijnë përgjatë gjithë ditës, duke dhënë porositë që pastaj i marrin me vete brenda një kohe shumë të shkurtër. Të tjerë, si ne, preferojnë të ulen e të shijojnë këtë kthim pas në kohë. Sidomos pas drekës, në orarin më të qetë, është shumë të bukur të pushosh me disa qofte dhe birrë të freskët në një nga tavolinat që ndodhen jashtë dyqanit. Tek sa vet “Met Kodra” nuk shërben birrë, dyqani përkarshi mund të ta sjelli pa problem. Mjafton ta thërrisni e do t’ju shërbejë birrë të freskët nga përtej gardhit. A e shikoni? Edhe ky bashkëpunim mes ‘komshinjve’ ruan si me magji pak nga thjeshtësia e kohërave të shkuara.

Explore More